Maqedoni

Universiteti i ri “Nënë Tereza”, MASh shpall konkurs për staf akademik të UNT-së

18.08.2016 14:23

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpallë konkurs për punësimin e stafit akademik në Universitetin “Nënë Tereza”...

Konkursi prej sot është shpallur në ueb faqen e Ministrisë, ndërsa prej nesër edhe në gazetat e përditshme.
 
“Sot do të bëhet shpallja e konkursit për staf akademik, i cili parasheh 84 vende pune për staf akademik, ku kemi pesë fakultete dhe 14 programe”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
 
Lutfiu sqaroi se Universiteti “Nënë Tereza” do të ketë këto drejtime: Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave të Informatikës, Fakultetin e  Shkencave Teknologjike,  Fakultetin e
 
Shkencave Teknike dhe Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa në të gjitha 14 programet studimore do të ketë të punësuar nga tre profesorë dhe tre asistentë.
 
Njëherit, Lutfiu tha se pritet që së shpejti qeveria të vendos për hapësirat e përkohshme ku do të fillojë me punë universiteti i ri, deri në ndërtimin e objektit të ri te kazerma “Ilinden”, për çka pritet të ndahen mjete me buxhetin e vitit 2017. 
 
“Unë kam propozuar në objektin e ish Bankës Komerciale, në katin e dytë, në bisedim e sipër komisionet amë kanë pasur edhe sugjerime të tjera për disa objekte alternative. Unë me qëllim që t’i ik barrës së qirasë e kam propozuar një objekt shtetëror, por nuk është përfundimtare”,- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
 
Në dhjetor të vitit 2015, me vendim të qeverisë, kuvendi votoi për themelimin e Universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup, i cili pritet të fillojë me punë këtë vit akademik. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIU