Maqedoni
24 vjetori i themelimit të ARM-së, Ivanov e Jolevski vlerësuan punën e Armatës
18.08.2016 15:33
Armata e Maqedonisë me sukses dhe në mënyrë profesionale kryen punën e saj, ndërkaq shteti do t’i përkrah edhe më tutje në misionin e tyre...

Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, me rastin e shënimit të Ditës së Armatës.
“Mburremi me të arriturat e juaja. Ju keni të gjithë përkrahjen e udhëheqësisë së shtetit dhe të qytetarëve të vendit për misionet e juaja të kryera me sukses. Jam i bindur se besimi në ju do të jetë motiv më tepër për të vazhduar më tutje me detyrat e juaja profesionale”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
Armata e Maqedonisë si institucion gjithmonë nxjerr në pah gatishmërinë dhe sakrificën, ndërkaq nga ana tjetër buxheti i saj çdo vit shkurtohet, theksoi me këtë rast kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
Duke theksuar kontributin e Armatës në vendbanimet e përmbytura në rrethin e Shkupit, Ivanov tha se Armata nuk është zgjidhje e përhershme për t’ju dalë përballë fatkeqësive që godasin vendin.
“Dua t’ju bëj thirrje institucioneve kompetente nga sistemi për menaxhim me kriza dhe sistemi për mbrojte të veprojnë në bazë të kompetencave ligjore. Nuk mundet të lejohet që e tërë barra për menaxhim me fatkeqësitë elementare të bie mbi Armatën dhe Policinë. Është e papërgjegjshme të harxhohen resurset e Armatës për t’u mbrojtur resurset vetanake”,- tha kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov.
Në rajonet e përmbytura Armata angazhoi 2600 pjesëtarë dhe 200 automjete për sanimin e vendeve të vërshuara, tha presidenti Ivanov, ndërkaq mes tjerash potencoi se armata e vendit në mënyrë dinjitoze mbron kufijtë, sovranitetin, sigurinë dhe unitaritetin e shtetit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
