Maqedoni
AShMAA zgjedh modelin francez, hapësirë e barabartë për pushtetin dhe opozitën
18.08.2016 16:24
Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuaele do të mbikëqyr zgjedhjet sipas një metodologjie të re....

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuaele do të mbikëqyr zgjedhjet sipas një metodologjie të re për monitorimin e prezantimit mediatik zgjedhor përmes shërbimeve programore të radios dhe televizionit gjatë procesit zgjedhor.
Është përzgjedhur modeli francez si model më i përshtatshëm për realitetin dhe nevojat vendore, i cili parasheh hapësirë të barabartë mediatike për pushtetin dhe opozitën në programet informative. Drafti pritet të kalojë në seancën e radhës të Këshillit të Agjencisë.
“Ndryshimi më i theksuar është inkorporomi dhe përshtatja e modelit francez me metodologjinë tonë. Do të ketë mundësi që në pjesën e lajmeve t’i ofrohet opozitës në raport me pozitën 50% për t’u paraqitur. Meqë është bërë enkas për këto zgjedhje dhe pak a shumë dallon nga metodologjitë e kaluara, sigurisht se do të ketë efekt”,- deklaroi anëtari i Këshillit, Selver Ajdini.
Përveç Agjencisë, mediat do të mbikëqyren edhe nga Komisioni ad hok, i cili është në themelim e sipër. Por, edhe ky Komision do të shfrytëzojë të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet e Agjencisë.
“Të katër anëtarët kanë pasur takim me drejtorin e Agjencisë. Ata i ka emëruar. Pritet që këtyre ditëve të emërohet edhe anëtari i pestë, i cili domosdoshmërisht duhet të jetë shqiptar. Detyra kryesore e këtij Komisioni të përkohshëm është që të monitorojë mediat në aspektin se sa do të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe a do të respektojnë informimin e balancuar. D.m.th. strikt për këto dy gjëra janë të përzgjedhur”,- tha anëtari i Këshillit, Selver Ajdini.
Portalet, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve do të jenë jashtë kontrolli. Agjencia nuk mund t’i kontrollojë ato për shkak se kjo çështje nuk është rregulluar me ligj, mungon një regjistër për portalet dhe janë në numër të madh.
SHPËTIM NUREDINI
