Maqedoni
Banorët e Hasanbegut, angazhim maksimal për normalizimin e jetës
18.08.2016 17:39
Ditë pas dite në Hasanbeg po punohet në pastrimin e shtëpive dhe ambientit, por edhe në sanimin e dëmeve pas vërshimeve me qëllim që sa më parë të normalizohet jeta...

Disa rrugë dhe shtëpi tanimë janë dezinfektuar, ndërsa dezinfektimi ende vazhdon, konfirmojnë banorët, sipas të cilëve vazhdon edhe verifikimi i dëmeve.
“Gjendja qysh ka qenë, 50% është normalizuar, shtëpitë i kemi pastruar pak a shumë, kanë bërë dezinfektim, kanë bërë vlerësimin e dëmeve në shtëpi, të makinave, rrugët janë pastruar... I falënderoj për ndihmat që na i kanë sjellë vëllezërit tanë, por edhe ata me makina që janë munduar dhe kanë pastruar. Sado kudo në rrugën tonë 50% jemi drejtuar”,- tha një banor.
“Ka nisur të normalizohet gjendja në krahasim se si ka qenë në ditët e para. Tash jemi në fazën e fundit të pastrimit të rrugëve dhe në mbrëmje presim që t’i pastrojmë edhe rrugët kryesore edhe nëpër rrugica. Kanë mbetur edhe disa shtëpi te të cilat nuk kemi mundur të hyjmë për t’i pastruar, mirëpo besoj se deri në mbrëmje do të arrijmë që t’i përfundojmë të gjitha për shkak se këtu kanë punuar më shumë se 24 orë, nuk janë ndalur, dhe falë Zotit tash jemi mirë dhe jemi normalizuar deri diku”,- theksoi një banor.
Por, ka edhe nga ata që thonë se ende u mungon shumëçka, ndërsa kërkojnë zgjidhje të përhershme, pasi problemi me kanalin në këtë rajon thonë se është prej vitesh.
“Kemi nevojë për gjithçka, së pari ta pastrojmë shtëpinë, nevoja për shtëpi, për rrymë, për shporet, pasi që nuk kemi asgjë, përmbytjet na i morën të gjitha”- u shpreh një banor.
“Ne me këtë problem ballafaqohemi ka 100 vite, me këtë lum apo kanal... Unë jam 63 vite këtu dhe nuk ka asnjë reagim dhe unë kam kërkuar nga komuna e Gazi Babës të pastrohet ai kanal, por askush nuk ka marrë masa që ta pastrojë. Tash si ndodhën përmbytjet asnjë nuk ka reaguar këtu, ja siç po e sheh vet kanali është pa pastruar. Tek kryetari i qytetit kam shkuar, më ka thënë se do të bëhet, por nuk po ndodh një gjë e tillë”,- deklaroi një banor.
Institucionet, si ARM, Policia dhe personeli mjekësor vazhdojnë të japin kontributin e tyre në vendbanimet e prekura nga vërshimet.
ERSAN PAJAZITI
