Maqedoni
Në aksionin humanitar Kryqi i Kuq mblodhi 650 mijë euro për zonat e përmbytura
18.08.2016 18:04
Në aksionin humanitar për zonat e prekura nga vërshimet deri më sot Kryqi i Kuq ka arkëtuar 44 639 976 denarë...

Në aksionin humanitar për zonat e prekura nga vërshimet deri më sot Kryqi i Kuq ka arkëtuar 44 639 976 denarë, prej të cilave 31 576 000 janë para të ndara nga kompanitë, derisa pjesa e mbetur janë nga thirrjet e qytetarëve në numrin: 143400.
Sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, potencon se bordi i Kryqit të Kuq do të bëjë vlerësimin në terren dhe mjetet do t’u ndahen atyre që janë më të prekur.
“Pas vlerësimit duhet t’i ndajmë mjetet për shkak se do të mundohemi që të kemi një statistikë dhe vlerësim të saktë se ku është nevoja më e madhe për t’i ndarë ato mjete. Kryqi i Kuq mori mbështetje edhe nga vendet e tjera, morëm mjete nga Kryqi i Kuq i Bullgarisë 5 mijë euro, Kryqi i Kuq i Sllovenisë 7 mijë euro dhe tani janë në pritje 10 mijë euro nga Kryqi i Kuq i Bosnjës. Këtu është edhe bashkëpunimi mes Kryqit të Kuq të Austrisë që ka ndarë 500 mijë euro për zonat e prekura nga vërshimet. Gjithashtu aplikuam edhe në Fondin për përgjigje urgjente, me çka pritet që maksimumi i atyre mjeteve mund të arrij; në 300 mijë franga”,- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Kryqi i Kuq dhe Muzeu Arkeologjik kanë organizuar edhe një aksion për dhurimin e gjakut në rast nevoje për personat në zonat e prekura nga vërshimet. Aksioni u organizua me moton “Gjaku yt shpëton jetë, bashkangjitu!”.
GAZMEND REXHEPI
