Botë

Merkel: Terrorizmin nuk e sollën refugjatët

18.08.2016 19:51

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mohuar që rritja e fluksit të emigrantëve në Gjermani të ketë shtuar dhe rrezikun e terrorizmit islamik...

“Fenomeni i terrorizmit islamik, i ISIS, nuk ka mbërritur përmes refugjatëve, e kemi pasur më parë”, ka thënë Merkel në një takim elektoral në Nojstrelitc. 
 
Muajin e kaluar, kancelarja ndërpreu pushimet pas disa sulmeve me sfond islamik që tronditën Gjermaninë. Edhe pse nën një trysni të shtuar kohët e fundit prej episodeve të tilla, ajo sërish mbrojti politikën e dyerve të hapura për refugjatët. 
 
Dy prej sulmeve u kryen nga azilkërkues, për të cilët Merkel tha se kanë hedhur hijen e turpit mbi vendin që i mikpriti, por sërish shtoi se njerëzve që i largohen dhunës e persekutimit u nevojitet mbrojtje. 
 
“Gjermania do t’iu qëndrojë parimeve të saj për t’i ofruar strehim kujtdo që e meriton. Sulmet treguan se tabutë e civilizimit janë thyer. Si goditjet në Gjermani, ashtu dhe ato në Nisë e Rouen të Francës kanë pasur një qëllim të qartë: përhapjen e frikës dhe urrejtjes mes kulturave e mes besimeve fetare”, tha Merkel./Top Channel