Botë

Trump ndryshon taktikën, kërkon ndjesë për disa komente të tij

19.08.2016 13:24

Kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump, i ka befasuar të gjithë me deklaratën e fundit...

Nuk ishte sharje siç jemi mësuar ta dëgjojmë tashmë një vit gjatë fushatës, por Trump shfaqi keqardhje dhe  pranoi se disa herë ka thënë gjëra të gabuara.
 
“Ndonjëherë, gjatë debateve të forta dhe duke folur për shumë çështje, nuk i zgjedh siç duhet fjalët ose them fjalë të gabuara. Unë e kam bërë këtë. Besojeni ose jo, jam penduar për këtë. Më vjen keq, sidomos për rastet kur kam shkaktuar dhimbje personale. Por, kemi shumë gjëra në lojë për t’u shqetësuar për çështje të tilla”,- deklaroi kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
 
Trump tha se nuk ka qenë korrekt politikisht dhe la të kuptohet se s’do të jetë kurrë, pasi kjo të harxhon shumë kohë, ndërsa u zotua se do t’i thotë publikut gjithnjë të vërtetën.
 
Biznesmeni nuk specifikoi se për cilat komente të tij ishte penduar, por kjo ndjesë e tij me mjaft stil vjen pas kritikave të forta që mori për debatin me familjen e një dëshmori e deri tek sugjerimi se ata që mbajnë armë duhet të ndalin Hilary Clinton para se ajo të anulojë të drejtën për t’u armatosur.
 
Por, ndjesa e tij vjen edhe pas punësimit të manaxherëve të rinj të fushatës së tij dhe sipas ekspertëve është një shenjë e qartë e frymës së re në përpjekjet e miliarderit për të marrë Presidencën. 
 
GAZMEND KURTISHI