Maqedoni

Kuçi: Zhvillimi i turizmit në Maqedoni, sipas përvojës zvicerane

19.08.2016 13:46

Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi, paralajmëron shfrytëzim të potencialeve turistike të Maqedonisë me anë të aplikimit të ekspertizës zvicerane në fushën e turizmit...

Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e turizmit, me drejtoren e Programit zviceran për rritjen e tregut të punësimit Rozandi Lou, program ky me të cilin do të rregullohet gjatë tre viteve të ardhshme bashkëpunimi reciprok në fushën e turizmit dhe hotelierisë. 
 
Me këtë memorandum Maqedonia do të merr mbështetje nga Zvicra në zhvillimin e turizmit dhe hotelierisë, nëpërmjet vendosjes së bashkëpunimit me institucionet arsimore më të njohura në Zvicër. 
 
"Rezultatet e pritura të bashkëpunimit me programin IME të Ambasadës së Zvicrës, do të realizohen përmes shfrytëzimit të përvojave të Zvicrës, në nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe përmirësimit të standardeve të punës në këtë fushë në Maqedoni. Zvicra është një nga vendet me sektorin turistik më të zhvilluar dhe më  mirë të organizuar. Ne shpresojmë se duke lidhur drejtuesit e turizmit të Maqedonisë me institucionet e njohura zvicerane arsimore dhe me transferimin e përvojave zvicerane në zhvillimin e turizmit, do të japim një kontribut për rritjen e potencialit turistik të Maqedonisë", deklaroi Ministri Kuçi. 
 
Përveç sektorit të turizmit dhe hotelierisë, programi IME i ambasadës zvicerane, është i përfshirë në mënyrë aktive edhe në zhvillimin e sektorit të industrive kreative dhe ekonomisë së gjelbër.
 
Objektivat kryesore të programit janë forcimi i sektorit të biznesit, për të krijuar një klimë të favorshme për zhvillimin e tre sektorëve dhe krijimin e kushteve për punë të mirë dhe rritjen e të ardhurave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.