Botë

Një 5-vjeçar sirian përlot botën, Rusia pajtohet për armëpushim 48 orësh në Alepo

19.08.2016 14:12

Omran Daqneesh, 5-vjeçari që u bë simbol i horrorit dhe tragjedisë së luftës në Siri, më në fund arriti të ribashkohet me prindërit...

Nga sulmi janë lënduar nëna dhe një nga motrat e tij, por të dyja janë mirë pas operacioneve. Fqinjët e tij nuk ishin aq me fat.
 
Tre prej tyre mbetën të vdekur nga sulmi ajror që goditi pallatin e tyre. Omran u bë pjesë e edicioneve kryesore të lajmeve në mbarë botën me pamjen e tij të përgjakur, teksa qëndronte vetëm i ulur në sediljen e ambulancës, pasi e morën nga rrënojat e shtëpisë së tij në Alepon e shkatërruar nga sulmet ajrore.
 
Omran nuk derdhi asnjë pikë loti të vetme derisa u ritakua me prindërit e tij në spital pak momente pasi ai kishte mbërritur.  
 
Doktorët në fillim u frikësuan se mos djaloshi kishte dëmtime të brendshme për shkak se nuk reagonte. Por, fatmirësisht plagët e Omran ishin sipërfaqësore. Omran është një tjetër simbol i asaj që në të vërtetë po ndodh në Siri.
 
Luftën e stërzgjatur për pushtet mes grupeve qeveritare dhe terroristëve po e vuajnë ata që janë më pak fajtorë për nisjen e saj, fëmijët si Omrani, të cilët po i tregojnë botës fotot e vërteta të tmerrit të asaj që po ndodh, derisa fuqitë e mëdha një javë diskutojnë se sa orë duhet të zgjasë armëpushimi që do të shpëtonte civilët. 
 
“Sa prej jush e panë videon e 5-vjeçarit që nuk derdhi asnjë pikë lot? Ky djalosh i vogël asnjëherë nuk ka pasur një ditë në jetën e tij pa luftë, vdekje, shkatërrim dhe varfëri në vendin e vet. Ne duhet t’u sigurojmë fëmijëve si Omrani një të ardhme të sigurt”,- deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.
 
Atë që nuk e bëri diplomacia duket se po e arrijnë lotët e munguar të Omranit. Moska është pajtuar për armëpushim prej 48 orësh në Alepon e rrethuar nga forcat qeveritare, të mbështetura nga sulmet ajrore të Rusisë.