Botë

ISIS sulmon Moskën, kërcënohet se ky është vetëm fillimi

19.08.2016 16:40

Një sulm tronditi stacionin policor të Moskës, ku mbetën të vrarë dy militantë, ndërsa dy policë u plagosën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë...

“Shteti Islamik” mori përsipër përgjegjësinë e sulmit duke festuar në rrjete sociale. Në një video të publikuar në faqen e tyre zyrtare të “Amaq” terroristët thanë se kjo ishte hakmarrja e tyre ndaj Rusisë që vazhdimisht po ndërmerr sulme kundër myslimanëve në Lindjen e Mesme.
 
“Ne po vazhdojmë rrugën e xhihadit, po zbatojmë urdhrat e liderit tonë, Abu Bakr al-Baghdadi. Emri i sulmit tonë në Moske është “operacioni i hakmarrjes”. Hakmarrje për të gjithë ju që bombardoni vëllezërit tanë në Siri dhe Irak”,- thonë militantët e ISIS-it në video.
 
Por, ata paralajmërojnë se nuk do të ndalen me kaq. Rusi, ky është vetëm fillimi”,- kërcënojnë ata. 
 
Edhe një muaj më parë, “Shteti Islamik” postoi një video në Youtube, ku thuhej se Rusinë nuk e presin ditë të mira. 
 
Prej vitit të kaluar Rusia i ka bombarduar militantët në Siri, në kuadër të fushatës mbështetëse ndaj presidentit, Bashar Al Assad.