Maqedoni

Ndihma në Hasanbeg edhe nga mërgata dibrane, punëtorë vullnetarë nga Elbasani dhe Haraçina

19.08.2016 17:11

Ditët e vështira kalohen më lehtë me ndihmën e miqve dhe bamirësve të cilët nuk i kanë munguar këtyre ditëve të vështira Hasanbegut të shkatërruar nga vërshimet...

Mërgimtarë nga Dibra, vullnetarë nga Elbasani e Haraçina, apo organizata të ndryshme humanitare edhe sot përpiqeshin të jepnin kontributin e tyre që jeta në Hasanbeg sa më parë të normalizohet.
 
“Erdhëm në vendlindje, në Dibër për pushime, u informuam në lajme, me shokët e ndjemë veten që të bëjmë diçka. Si dibranë asnjëherë nuk kemi qenë indiferentë dhe menduam bashkërisht me diasporën dibrane të organizohemi dhe të ndihmojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”,- deklaroi mërgimtari dibran në ShBA, Dashnor Miftari.
 
“Jam vullnetar nga Elbasani, kam ardhur të ndihmoj popullin tonë këtu. Na vjen keq,sikur të kishte rënë në shtëpinë tonë kjo”,- tha një vullnetar nga Elbasani.
 
“Në Haraçin rri. Po kam ardhur me ndihmuar, te kjo furra po shtroj tampon”,- theksoi një banor i Haraçinës.
 
“Çdo ditë ne shpërndajmë nga 300 pako ushqim dhe shpërndajmë edhe rroba nëpër shpija”,- u shpreh Ali Elezi nga Shoqata humanitare “NUN”.
 
Banorët e Hasanbegut dhe shoqatat humanitare thonë se nevojat për ndihmë vazhdojnë të jenë të shumta si në ushqime, mjete higjienike ashtu edhe për gjëra elektronike të cilat u shkatërruan në tërësi nga vërshimet.
 
“Kemi nevojë në disa faza, faza e parë është ajo pjesa nga kanali ku i themi ne, atje ka pasur më shumë dëme dhe ata kanë nevojë për ushqime dhe veshmbathje. Ndërsa pjesa e dytë, kjo pjesa këndej, ku kemi energji, ne kemi nevojë për dezinfektues dhe detergjente, si dhe në fazën e tretë do të shohim se çfarë nevojitet”, - deklaroi një banor i Hasanbegut.
 
“Ata tani më së shumti kanë nevojë për frigoriferë dhe gjëra tjera elektrike”,- theksoi Ali Elezi nga Shoqata humanitare “NUN”.
 
Donacione për rajonet e përmbytura në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë arritur sot edhe nga Republika e Sllovakisë dhe Republika e Holandës. Ndërsa nuk ka munguar ndihma edhe nga Shqipëria, Kosova, Turqia dhe vende tjera.
 
GYLTENE SINANI