Maqedoni

Pastrimi i listës zgjedhore, përfundon afati, paraqiten mbi 8 mijë votues

19.08.2016 18:15

Përfundon afati i paraqitjes së votuesve të dyshimtë me mbi 8 mijë aplikues nga gjithsej 39 mijë votues të dyshimtë...

Interesim më të madh për t’u kthyer në listën e zgjedhësve kanë treguar qytetarët e Çairit, Sarajit, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit, Aerodromit dhe komunës Qendër.
 
Nga KShZ thonë se interesimi për të aplikuar është shtuar dy ditët e fundit me nga 1 mijë paraqitje në ditë.
 
“Deri më tani nuk kemi refuzuar asnjë aplikacion. Ekipi ynë për vërtetimin e të dhënave ka kontrolluar secilin aplikacion ndaras për të parë se a përputhen me të dhënat në listën zgjedhore. Në rastet kur ka pasur mospërputhje, ekipi ynë i ka informuar qytetarët që ata ta korrigjojnë aplikacionin ose dokumentin personal të skenuar”,- tha këshilltarja në KShZ, Ljupka Guguçevska.
 
Anëtarët e KShZ-së do të mblidhen javën që vjen vetëm për të diskutuar epilogun e paraqitjes, por jo edhe për të zgjatur afatin e paraqitjes.
 
Raporti do të kalojë edhe në duart e katër liderëve më 31 gusht për t’u vulosur zgjedhjet e dhjetorit në rast të ekzistimit të kushteve.
 
Kryeministri i Qeverisë teknike, Emil Dimitriev, thotë se moslajmërimi i qytetarëve nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen e zgjedhjeve.
 
“Unë konsideroj se nuk ekziston kurrfarë rreziku, pengesë ose bazë për justifikim të ri për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi që për këtë mënyrë të pastrimit të listës zgjedhore janë dakorduar të gjitha partitë politike dhe pres që atë ta respektojnë,”- tha kryeministri, Emil Dimitriev.
 
Sipas nënkryetarit të LSDM-së, Damjan Mançevski, si pasojë e identifikimit të votuesve të kontestueshëm u zbardh numri i votuesve real në Maqedoni. 
 
“E rëndësishme për ne është se në listën e zgjedhësve do të vendosen fotografitë e votuesve. Kjo do të ulë tej mase mundësinë e keqpërdorimeve të identiteteve të huaja për të votuar. Mos të harrojmë se përpos këtyre 39 mijë votuesve, kemi edhe 172 mijë të tjerë, të cilët për momentin nuk gjenden në Maqedoni. Nga kjo konkludojmë se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1 milionë e 500 mijë votues”,- theksoi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
 
Kundër shlyerjes së votuesve nga diaspora shprehen partitë shqiptare, BDI, PDSh dhe partitë jashtëparlamentare.
 
Megjithatë, nga KShZ thonë se qytetarët do të kenë edhe një shans të paraqitjes gjatë kontrollit publik, 10 ditë para zgjedhjeve.
 
MERAL ISMAILI