Maqedoni
Banorë të Hasanbegut në konvikte, do të qëndrojnë deri në ndërtimin e shtëpive
19.08.2016 18:18
Përmbytjet në rajonin Hasanbeg-Haraçinë kanë detyruar shumë familje që të vendosen nëpër konvikte studentësh...

Në konviktin “Senixh” janë strehuar rreth 210 persona, të cilët do të mund të qëndrojnë atje deri në krijimin e kushteve që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, thotë drejtori i konviktit , Lulzim Xhemaili.
Konvikti ka kapacitetet që të mbajë edhe studentët edhe të strehuarit, thotë Xhemaili, sipas të cilit fillimi i vitit akademik nuk do të paraqet asnjë pengesë në strehimin e mëtejshëm të banorëve të zonave të përmbytura.
“Deri më sot kemi akomoduar deri më rreth 210 persona. Për shkak se parashtrohet një pyetje edhe sa kohë mund të përkujdesemi për këta, lirisht mund të them se kemi kapacitetet jo vetëm për personat që përjetuan fatkeqësi natyrore, por edhe për nxënësit dhe studentët”,- deklaroi drejtori i Konviktit “Senixh”, Lulzim Xhemaili.
Të strehuarit për TVM2 thonë se kushtet në konvikt janë të mira dhe se aty ndjehen të sigurt. Ata gjithashtu thonë se kanë marrë premtim nga autoritetet se do të qëndrojnë aty deri në riparimin e shtëpive të tyre.
“Na kanë dhënë premtimin, sidomos sot, na kanë kontrolluar, na kanë thënë se do të keni mundësi të qëndroni deri sa t’u ndërtohet shtëpia juaj. Prej atë ditë që kemi ardhur këtu, shumë mirë jemi, na kanë pritur mirë, gjithçka shumë mirë më është dukur, kemi ushqimin e rregullt”- theksoi një strehues.
“Nuk e dimë ne, këtu na kanë sjellë njëherë, se sa do të na mbajnë këtu nuk e di. Vetëm se këtu jemi shumë mirë, me rregullat e këtuhit nuk kemi asnjë ankesë”,- u shpreh një strehues.
“Ne jemi nga Brnjanci, shtëpia na është përmbytur e tëra, pra derisa nuk sanohet i gjithë dëmi nuk mund të kthehemi, pasi që kam edhe fëmijën e vogël. Por, këtu jemi të sigurt”- tha një strehues.
Pas vërshimeve, shumë familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë, prandaj janë detyruar të qëndrojnë nëpër konvikte, hotele apo tek të afërmit deri në krijimin e kushteve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
ERSAN PAJAZITI
