Maqedoni
AUV dhe IShB, kontrolle preventive në rajonet e vërshuara
19.08.2016 18:22
Gjatë kontrolleve parandaluese nga shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari...

Gjatë kontrolleve parandaluese nga shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari në zonat e prekura nga vërshimet nuk janë evidentuar mangësi të mëdha, e as nuk është hasur në ushqim të pasigurt, apo me afat të skaduar. Në suaza të kontrolleve që zbatoi kjo Agjenci për operatorët me ushqim nga rajonet e përmbytura kontrolluan dhe pjesën se a shiten ndihmat humanitare.
“Këto ekipe duhet të konstatojnë mangësi dhe nëse konstatohen ato produkte do të merren në analizë me qëllim që të sigurohen qytetarët që i shfrytëzojnë. Çdo kund ku do të vërehet kontaminim ata produkte joadekuate do të ndalohen dhe të largohen me qëllim që të parandalohet kjo përhapje e atyre produkteve që nuk janë për konsumim”,- thuhet nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Po ashtu produktet bujqësore nga rajonet e përfshira nga vërshimet tani për tani nuk do të lejohet të nxirren në treg, pasi duhet pritur analizat e Inspektoratit shtetëror për Bujqësi.
Tanimë janë formuar më tepër ekipe të përbëra nga pjesëtarë të inspektoratit fto-sanitarë të cilët do të duhet të dalin në terren për të konstatuar nëse ka ngelur diç nga produktet bujqësore që do të mund të përdoren.
“Nëse konstatohet se kanë mbetur produkte bujqësore, do të merren për analizë me qëllim që të konstatohet nëse janë të sigurta për përdorim eventual. Gjithkund ku do të konstatohet kontaminim, ato produkte do të shkatërrohen”,- tha inspektori shtetëror i Bujqësisë, Cfetan Tripunovski.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari potencojnë se ekipet e tyre janë vazhdimisht në terren në rajonet e përmbytura dhe krahas angazhimit për shpëtimin e kafshëve shtëpiake dhe ndarjes së ushqimit për kafshë janë kryer edhe kontrolle parandaluese, vizita edukative të operatorëve të ushqimit të cilët pësuan dëme nga moti i ligë dhe objektet e të cilëve u përmbytën.
Atyre u është rekomanduar si të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i objekteve para se të fillojnë sërish me punë.
GAZMEND REXHEPI
