Botë

Sot në Itali, takim për të ardhmen e BE-së

22.08.2016 10:20

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë pritet të takohen sot në Itali për të diskutuar se si ta ruajnë projektin e Bashkimit Europian...

Ky është raundi i dytë i bisedimeve mes udhëheqësve të tre ekonomive më të mëdha të grupit, që pas rezultatit shokues të referendumit të Britanisë për largimin nga blloku. 

Takimi do të zhvillohet në një ishull pranë Napolit dhe ai i paraprin një takimi të muajit shtator të BE-së për të diskutuar mbi pasojat e votimit të Britanisë për t’u larguar nga grupi. 

Zyrtarët në Bruksel druhen se referendumi i 23 qershorit në Britani mund të çojë në një referendum të ngjashëm në Holandë, një nga vendet themeluese të BE-së lidhur me largimin nga blloku. 

Analistët thonë se përballë rrezikut të ekzistencës kancelarja gjermane, Merkel, kërkon të forcojë BE-në ekzistuese dhe jo zgjerimin me anëtarë të rinj. 

Renzi kërkon që Italia të ketë një rol më të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të BE-së në të ardhmen, pas largimit të Britanisë, ndërsa zoti Hollande kërkon dyfishimin e planit të investimeve të BE-së.