Botë
Sulmi në dasmën kurde, autoritetet: Shumica e viktimave janë fëmijë
22.08.2016 10:55
Autoritetet turke kanë zbardhur më shumë detaje rreth personave që humbën jetën pas shpërthimit tragjik në qytetin Gaziantep ditën e shtunë...

Autoritetet turke kanë zbardhur më shumë detaje rreth personave që humbën jetën pas shpërthimit tragjik në qytetin Gaziantep ditën e shtunë, duke deklaruar se 29 viktima nga 54 në total janë nën moshën 18 vjeçare dhe 22 prej tyre nuk kishin mbushur as 14 vjeç.
Presidenti, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se edhe personi që hodhi veten në erë ka qenë një fëmijë, i cili dyshohet se është nga 12 deri në 14 vjeç.
Një lajm i tillë ka tronditur mbarë opinionin, teksa zyrtarët njoftuan nisjen e një hetimi për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Të akuzuarit kryesorë të këtij sulmi janë militantët e “Shtetit Islamik”, pasi në qytetin, i cili ndodhet pranë kufirit jugor me Sirinë, ka mjaft celula të kësaj organizate terroriste.
Gjithashtu, një tjetër fakt që të shtyn drejt kësaj piste është mënyra e ndërtimit të bombës, e cila ishte e rrethuar nga copëza të vogla metalike për t’i dëmtuar sa më shumë qytetarët e pafajshëm.
Kjo teknikë është parë edhe në sulme të tjera të ndërmarra nga ekstremistët e “Shtetit Islamik” kundër personave që mbështesin çështjen kurde.
Situata vijon të mbetet e rëndë në kushtet kur 66 persona janë ende në ambientet spitalore. 14 prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën dhe nuk përjashtohet edhe mundësia e rritjes së mëtejshme të bilancit të viktimave.
Autoritetet janë në kërkim të dy personave që dyshohet se e kanë shoqëruar kamikazin drejt vendit ku ndodhi shpërthimi e më pas janë larguar.
Përgjatë viteve të fundit, Turqia është goditur shpesh nga sulmet me bombë. Në shumicën e rasteve ato janë ndërmarrë nga ekstremistët e “Shtetit Islamik” si dhe militantët pro-kurdë që kërkojnë autonominë e rajonit juglindor të vendit.
SEVDIJE KASTRATI
