Maqedoni

Thaçi: Kur drejtësia flet, politika duhet të heshtë; Boneva: Procedura duhet të jete sekrete, PSP bën cirk

22.08.2016 15:41

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka dhënë sot dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale Publike në cilësinë e dëshmitarit...

Pas një ore bisedë informative ,Thaçi nuk deshi të japë detaje, duke deklaruar se kur drejtësia flet, politika duhet të heshtë.  
 
“Kur drejtësia flet, politika duhet të heshtë!”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Në Prokurorinë Speciale ishte thirrur sot edhe Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE, e cila nuk deshi të sqarojë se në çfarë cilësie është marrë në pyetje, por vetëm vlerësoi se kjo është një cirk mediatik dhe politik. 
 
“Kur e votuan në Kuvend ligjin për PSP, në asnjë dispozitë nuk qëndronte se para procedurës hetimore, e cila duhet të jetë e fshehtë, do të jetë një cirk mediatik-politik. Ju jeni dëshmitarë të këtij cirku mediatik dhe politik. Unë jam e bindur se ata që më kanë thirrur do të ju tregojnë se pse më kanë thirrur”- theksoi Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE.
 
Në PSP ishte ftuar edhe ministri i Kulturës nga radhët e PDSh-së, Arifikmet Xhemaili, dhe Samka Ibrahimovski nga partia rome, PEPR. 
 
Në javën që lamë pas Specialja paralajmëroi shtim të numrit të personave që do të thirren në cilësinë e dëshmitarëve apo të të hetuarve, me qëllim që sa më shpejt të filtrohen lëndët që ka hapur kjo Prokurori dhe zbulimin e veprimtarive eventuale kriminele dhe korruptive të personave zyrtarë. 
 
SANIJE DURAKU