Botë
San Bernardino: 82 mijë persona të zhvendosur nga zjarri
22.08.2016 16:44
Zjarri i fundit, i cili e ka përfshirë San Bernardinon, ka bërë që të evakuohen rreth 82 mijë persona...
Zyrtarët vlerësojnë se të paktën janë djegur 105 rezidenca dhe janë shkrumbuar 6 000 hektarë tokë nga zjarri masiv që ka kapluar këtë javë Kaliforninë Jugore.
Mediat raportojnë se derisa flakët i afroheshin rrezikshëm zonave të banuara, skena kaosi u panë mes njerëzve që mundoheshin të largohen nga zjarri.
Nga ana tjetër, banorët të cilët ishin kthyer për të parë se çfarë ka ndodhur me pronat e tyre, ishin të tmerruar me atë se çka shihnin.
“Ka dallim prej asaj kur e din mentalisht se çfarë ndodh dhe nga ajo kur e sheh nga afër, është për të ardhur shumë keq”,- u shpreh një banor.
“Për sa kohë që zgjasin këto kushte të motit, presim që të kemi zjarre të këtyre përmasave. Ne në Kaliforninë Jugore mendonim gjithnjë që kur vinin erërat, që njihen me emrin Santa Ana, vinte vjeshta, dhe atëherë kishte rrezik për zjarre të tilla, por tani rreziku është permanent”,- tha Costa Dillon nga Shërbimi i Parkut Kombëtar.
Guvernatori i Kalifornisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonën San Bernardinos.
Zjarri është ende jashtë kontrollit, pavarësisht përpjekjeve të 700 zjarrfikësve dhe dhjetëra mjeteve tokësore e ajrore për ta ndalur.
Zjarret e fundit në Kaliforni kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe i kanë kushtuar jetën tetë njerëzve.
Vitet e fundit, thatësira e tejzgjatur dhe temperaturat e larta kanë zgjatur sezonin e zjarreve në perëndim të ShBA-së.
GAZMEND KURTISHI
