Maqedoni

Lista zgjedhore, Kadriu: qytetarët në çdo kohë kanë të drejtë të regjistrohen

22.08.2016 16:51

Afatet nuk duhet të prodhojnë probleme në kuptimin e humbjes së të drejtës për të votuar për asnjë qytetarë i cili i plotëson kushtet...

Afatet nuk duhet të prodhojnë probleme në kuptimin e humbjes së të drejtës për të votuar për asnjë qytetarë i cili i plotëson kushtet, sepse një gjë të tillë e garanton Kushtetuta, thotë profesori universitar, Bekim Kadriu.
 
Sipas tij, qytetarët që plotësojnë kushtet nuk duhet ta dëshmojnë një gjë të tillë, megjithatë kontrolli aktiv i listës së veçantë me mbi 39 mijë votues ishte rezultat i një marrëveshjeje midis subjekteve politike për dalje nga kriza, sepse gjatë kontrollit të kryqëzuar u hodhën dyshime se janë votues fiktiv, prandaj edhe pasuan ndryshimet ligjore.
 
“Ata qytetarë që kanë të drejtën zgjedhore nuk guxon tani afatet dhe kalimi i afateve t’i godasë ata joproporcionalisht në kuptim të humbjes së të drejtën së votës. Ata doemos duhet të kenë mundësi të drejtë të votojnë. Si të them, kalimi i afatit ka të bëjë me listën e veçantë prej 39 mijë votuesve dhe ata persona tani përkohësisht do të fshihen, mirëpo ajo nuk e mohon të drejtën e çdo qytetari që ka të drejtën e votës të mund të kërkojë të regjistrohet në listën e votuesve”,- deklaroi profesori universitar, Bekim Kadriu.    
                                                                                                           
Në rast se do të ketë qytetarë të cilët i plotësojnë kushtet për të qenë në regjistrin zgjedhor, ndërsa për shkak të afateve do të fshihen nga lista, profesori Kadriu sugjeron që të thirren në nenin 48 të Kodit zgjedhor për t’u regjistruar sërish. 
 
“Në rast se ka qytetarë të cilët e kanë të drejtën e votës dhe në këtë moment do të fshihen nga lista e votuesve për shkak se nuk janë paraqitur në afatin e duhur, qëndrimi im i qartë është se këta qytetarë megjithatë në çdo moment do të kenë të drejtë ta kërkojnë të drejtën e tyre që të regjistrohen në listën e votuesve për shkak se një mundësi të tillë e jep vetë Kodi zgjedhor. Kodi zgjedhor në nenin 48, sidomos paragrafi 2, jep mundësi që qytetarët në çdo moment të kenë qasje te lista zgjedhore dhe në çdo moment të mund të kërkojnë nëse ata nuk janë në listën zgjedhore ndërsa i plotësojnë kushtet, ata të mund të regjistrohen në Listën zgjedhore”,- theksoi profesori universitar, Bekim Kadriu.            
                                                                                                                    
Nga KShZ kanë informuar se deri në skadimin e afatit, prej 39 502 votuesve të dyshimtë janë dorëzuar gjithsej 8922 paraqitje.
 
Personat të cilët nuk janë paraqitur në KShZ në këtë periudhë do të kenë edhe një mundësi që të paraqiten gjatë inspektimit publik në Listën zgjedhore para zgjedhjeve.
 
NAIM RAMADANI