Maqedoni

Trupi ad–hok, nesër do të mësohet anëtari i pestë

22.08.2016 17:12

Nesër pritet të mësohet emri i anëtarit të pestë të trupit ad-hok të medieve, i cili sipas marrëveshjes politike duhet të jetë shqiptar...

Emri i tij do të publikohet nga katër anëtarët e tjetër të trupit në mbledhjen e Agjencisë së Mediave, e cila më pas duhet të bëjë emërimin e tij.

Mësohet se trupi ad-hok gjatë ditës ka shqyrtuar emrin e mundshëm nga dhjetë kandidatët e paraqitur pas thirrjes publike që u përmbyll dje.

Në mbledhjen e nesërme do të duhet të prezantohet edhe metodologjia e punës së trupit ad-hok pas propozimeve të dhëna në debatin publik. Kjo metodologji do të duhet të miratohet më së voni më një shtator.

Katër anëtarët e trupit mbikëqyrës të mediave janë: Cvetin Çilimanov dhe Sllagjana Dimishkova të propozuar nga VMRO–DPMNE dhe Lubomir Kostovski e Goran Tërpenovski me propozim të LSDM-së.

Mandati i trupit të përkohshëm përfundon bashkë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kanë mbetur vetëm nëntë ditë nga takimi i liderëve, të cilët do të duhet të caktojnë datën e zgjedhjeve për më 11 dhjetor dhe trupi ad-hok të nis mbikëqyrjen e mediave 100 ditë para kësaj date.

Në kuadër të marrëveshjes së 20 korrikut, gjithashtu me propozim të opozitës, do të duhet të emërohet edhe kryeredaktori i ri i MTV1 dhe të formohet qeveri kalimtare.

MERALE ISMAILI