Botë
Sulm me granata ndaj RTK-së
23.08.2016 12:39
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Televizion Publik të Kosovës rreth orës 22:00...

Shpërthimi ka ndodhur saktësish tek transmetuesi i valëve, ndërsa në kohën e shpërthimit ka pasur gazetarë dhe staf tjetër në objektin e RTK-së që janë tronditur nga shpërthimi i fuqishëm, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz.
Në vendngjarje menjëherë ka dalë Policia e Kosovës, nga e cila është konstatuar se sulmi është kryer me granatë dore. Në informacionin e Policisë së Kosovës thuhet se Policia e Kosovës në konsultim me prokurorin kompetent i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkohë, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj Servisit Publik në Kosovë, duke e cilësuar si akt të shëmtuar të personave dashakeq, i cili është i drejtuar ndaj të ardhmes së RTK-së dhe gjithë vendit. Po ashtu Sindikata kërkon nga organet e hetuesisë që sa më parë të zbardhin këtë akt qyqarë të drejtuar ndaj mediumit të vetëm publik RTK.
Por, grupi "Rugovasit” marrin përgjegjësinë për sulmin në RTK. Ata si arsye për këtë sulm theksojnë: “1. Mospublikimin nga ana e RTK-së të njoftimit se “Rugovasit” e kishim sulmuar shtëpinë e Murat Mehës para disa ditësh; 2. RTK-ja duke u rreshtuar në anën e qeverisë, e cila po i shet bjeshkët tona, për çdo ditë po publikon veç lajme pro-demarkacionit dhe pro-qeverisë”.
Po ashtu, grupi “Rugovasit” në e-majlin adresuar mediave në Kosovë u bën thirrje gazetarëve që të mbrojnë tokën e Kosovës duke e treguar realitetin, e jo siç thuhet “me u hedh hy syve të popullit”. Grupi kërcënon se nëse qeveria nuk ndalet së vepruari në drejtim të demarkacionit, sulmet e tyre do të ashpërsohen.
GYLTENE SINANI
