Maqedoni

Vërshimet në Shkup, 740 mijë euro në llogarinë e Kryqit të Kuq

23.08.2016 15:07

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, vazhdon me grumbullimin e ndihmave për të familjet që pësuan nga vërshimet...

Nga Kryqi i Kuq bëjnë të ditur se deri më tani në xhirollogarinë për solidaritet janë mbledhur rreth 45 milionë denarë, ose mbi 740 mijë euro.
 
“Aksioni për grumbullimin e mjeteve financiare në Kryqin e Kuq të RM-së vazhdon edhe më tutje, meqenëse ajo është kërkesë e qytetarëve dhe kompanive të ndryshme. Meqenëse kemi donacione të cilat janë të vërtetuara nga ana e donatorëve, por deri më tani nuk kanë arritur. Mendoj se nëse vazhdojmë edhe 7 ditë të ardhshme, deri më 29 gusht, do të bëhet grumbullimi i mjeteve financiare, mund të llogarisim një shumë që në mënyrë lineare të dërgohen tek familjet të cilat kanë pasoja nga katastrofa natyrore”,- tha sekretari i përgjithshëm i  Kryqit të  Kuq, Sait Saiti.
 
“Ftoj institucionet, ndërmarrjet dhe sindikatat tjera që të kyçen në këtë aksion, me qëllim që t’u mundësojmë nxitje shtesë të mjeteve për të ndihmuar banorët e rajoneve të përmbytura”,- u shpreh kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski.
 
Nga Kryqi i Kuq thonë se do të lihet një afat prej 5 ditësh, i cili afat do të jetë për t’u lajmëruar të gjithë familjet që nuk janë vizituar nga ekipet e Kryqit të Kuq dhe, në bazë të rezultateve finale dhe listës së amvisërive, Kryqi i Kuq në mënyrë të barabartë do të bëjë ndarjen e ndihmave për të gjitha familjet e dëmtuara nga përmbytjet.  
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI