Maqedoni
Lëvizja “Besa”: U fshinë shqiptarët me orientim opozitar
23.08.2016 15:37
Lëvizja “Besa” e ka quajtur skandaloze përmbajtjen e listës zgjedhore me emrat e votuesve të kontestuar...

Emrat në listë janë të votuesve realë e jo fiktivë, thonë nga “Besa”, duke alarmuar se shumica e emrave që u gjendën në listë janë të votuesve shqiptarë që e mbështesin opozitën.
“Shumica e votuesve të vendosur në këtë listë, pra rreth 90% janë njerëz realë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Maqedoni, mbi 70% e votuesve në listë janë shqiptarë, shumë emra nga kjo listë rezultoi të jenë persona të afërm me funksionarët e lartë të Lëvizjes “Besa”, por edhe të subjekteve tjera opozitare, shumica e votuesve në listë janë gra, mbi 60%”,- thuhet nga Lëvizja “Besa”.
Lëvizja “Besa” ka ngritur iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit me të cilin një pjesë e qytetarëve diskriminohen, duke u cenuar e drejta e tyre elementare për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur, dhe ka alarmuar edhe faktorin ndërkombëtar dhe institucionet për të drejtat e njeriut.
Pas përmbylljes së afatit dhe rikthimit në listën zgjedhore të vetëm 8.901 votuesve të kontestuar, nga lëvizja “Besa” thonë se nuk do të ndalen deri në kthimin në listën e votuesve edhe të votuesit të fundit që ka të drejtë vote.
GAZMEND REXHEPI
