Maqedoni
Vërshime në Komunën e Vrapçishtit, Kadrija: Do të dëmshpërblehen të gjithë
23.08.2016 16:00
Dhjetëra shtëpi u vërshuan në Senakos, Negotinë dhe Gradec pas reshjeve intensive që përshinë Gostivarin me rrethinë...

Shiu, i shoqëruar edhe me erë të fuqishme dhe breshër, shkaktoi dëme materiale në një lagje të terë në pjesën e sipërme të Senakosit.
Sipas banorëve lokalë, uji erdhi menjëherë nga një përrua nga mali, duke sjellë me vete shumë baltë dhe rërë, që kishin përfunduar grumbuj në rrugën kryesore të Senakosit duke bllokuar lëvizjen.
Në vendngjarje menjëherë dolën autoritetet lokale që bashkë me punonjësit e administratës, zjarrfikësit, policinë dhe banorët filluan të nxjerrin ujin me pompa nga shtëpitë e vërshuara.
Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, premtoi se të gjithë ata të cilët kanë pësuar nga vërshimet do të dëmshpërblehen nga ana e Komunës.
Pos shtëpive dhe rrugëve, dëme kanë pësuar edhe disa biznese dhe bujqit lokalë.
LULZIM HAZIRI
