Maqedoni

Përmbytjet në Shkup dhe Tetovë, Kuvendi do diskutojë përgjegjësinë e institucioneve

23.08.2016 16:51

Përgjegjësia e institucioneve dhe zyrtarëve në përmbytjet nga rrebeshi i gjashtë gushtit do të diskutohet në Kuvend...

Komisioni për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave mori vendim unanim që të mbahet debat mbikëqyrës për zbatimin e rregullave ligjore dhe nënligjore në fushën e sistemeve hidromeliorative dhe të punëve hidrometeorologjike.
 
Sipas propozuesit, qëllimi i kërkesës për debat mbikëqyrës është të debatohet rreth lëshimeve dhe përgjegjësive gjatë menaxhimit me vërshimet.
 
“Një nga qëllimet kryesore të debatit mbikëqyrës është konstatimi i përgjegjësisë së institucioneve dhe individëve, të cilët kanë obligim ligjor të analizojnë dhe planifikojnë rrjedhat dhe aktivitetet sa u përket sistemeve hidromeliorative dhe punëve hidrometeorologjike, në interes të zbatimit cilësor dhe në kohë të kompetencave ligjore për prezantimin, parandalimin e pasojave të mundshme dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronave të tyre si dhe mbrojtjen e të mirave natyrore dhe materiale të RM-së”,- deklaroi Pance Orcev nga LSDM.
 
Edhe grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së e mbështet këtë nismë, por dyshon se LSDM mund ta keqpërdorë debatin për përfitime politike. 
 
“E pranojmë nismën në pjesën ku thuhet se fatkeqësia natyrore është shkaktuar nga të reshurat e mëdha në territorin e këtij rajoni. Dhe kjo është ashtu siç e thoni, pasi kjo ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha që mbahet mend që ka ndodhur në Maqedoni. Në varësi të asaj hapësire të vogël që ka përfshi dhe intensiteti i të reshurave që ndodhi atje dhe shpejtësia që ndodhi e gjithë kjo. Por, pjesa ku ju silleni si gjykatës në vetë nismën është e papranueshme për grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së.”-, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Komisioni nuk e caktoi datën se kur do të mbahet debati mbikëqyrës rreth lëshimeve dhe përgjegjësive gjatë menaxhimit me vërshimet që përfshinë rajonin e Shkupit dhe të Tetovës, por rregullorja parasheh që debati mbikëqyrës të mbahet më së voni 10 ditë pas miratimit të vendimit për mbajtjen e tij.
 
SHPËTIM NUREDINI