Maqedoni

Metodologjia për mbikëqyrjen e mediave, nis debati, kërkohet monitorimi i portaleve

23.08.2016 17:00

Agjencia e mediave shpalos metodologjinë franceze për mbikëqyrjen e mediave 100 ditë para ditës së votimit nga ana e trupit ad-hok...

Në mbledhje, ku ishin të pranishëm gazetarë dhe shoqata të mediave, u kërkua që të vëzhgohen edhe portalet, ndërkaq trupi ad-hok të ketë kompetenca në vendimmarrje.
 
Nuk munguan as përplasjet për vlerësimin vetëm të sasisë në informim apo edhe të cilësisë.
 
“Sa i përket internet-portaleve, do të duhet të bëhet maksimumi. Nuk guxon që mos të dihen se kush janë portalet. Ekzistojnë mënyra që  kjo të mësohet, ndërkaq agjencia do të duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që edhe portalet të mbikëqyren”,- deklaroi Bobi Hristov nga TV TELMA.
 
“Kontrolli në informimin e balancuar të kryhet vetëm në pjesën kuantitative, ndërkaq ajo që do të jetë në kundërshtim me ligjin atëherë të ndëshkohet. Në rast të shkeljeve kualitative le të ngriten ankesa ndaj gazetarëve, mediave dhe ato të përgjigjen. Matja e cilësisë në informim paraqet matje jokorrekte”,- tha Ivan Mirçevski nga KANAL 5.
 
Drejtori i Agjencisë së Mediave, Zoran Trajçevski, tha se marrja e vendimeve i takon Këshillit të Agjencisë. Mbikëqyrja e portaleve, sipas Trajçevskit, nuk parashikohet me ligj, ndërkohë që kërkesat tjera do të vendosen për shqyrtim.
 
“Pjesa më e madhe e portaleve nuk kanë pronar dhe as që mund të vërtetohet se kush i bën politikat redaktuese. Andaj edhe agjencia nuk mund të bëjë zbatim selektiv të ligjit, andaj dhe këshilli ka vendosur të mos vëzhgojë publikimet elektronike në portale edhe gjatë këtij procesi zgjedhor”,- theksoi drejtori i Agjencisë së Mediave, Zoran Trajçevski.
 
Kërkesa për korrigjim të metodologjisë u shtruan edhe nga trupi ad–hok. Anëtari i propozuar nga LSDM, Lubomir Kostovski, kërkoi që mbikëqyrja dhe raportimi për parregullsi të jetë javor, e jo në dhjetë ditë, dhe ato të bëhen publike.
 
Ndërkaq, anëtari i propozuar nga VMRO–DPMNE, Cvetin Çilimanov, kërkoi që përpos mediave, nga përgjegjësia mos të përjashtohen partitë politike.
 
Agjencia e mediave bashkë me vërejtjet dhe sugjerimet do të duhet që të miratojë metodologjinë e punës 100-ditore për observim të mediave më së voni deri më 1 shtator.
 
MERAL ISMAILI