Maqedoni

Ministri Kuçi u takua me ambasadoren e Francës, Lorens Oer

23.08.2016 17:27

Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi, sot priti në takim lamtumirës znj. Lorens Oer, ambasadore e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë...

Kuçi dhe Oer vlerësuan se bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Francës është shumë i suksesshëm, me potencial të madh për zgjerimin e tij në fushën e investimeve të reja nga kompanitë françeze, angazhimin e  tyre në ndërtimin e objekteve energjetike, si dhe rritjen e numrit të turistëve nga Franca në vendin tonë. 
 
Ministri Driton Kuçi  falënderoi për mbështetjen që Republika e Francës në mënyrë të vazhdueshme e jep për Republikën e Maqedonisë, dhe në veçanti për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe falënderoi angazhimin personal të ambasadores Oer, për përgatitjen e Samitit të Parisit.  
 
Maqedonia është pjesë e Evropës, tha Kuçi, por edhe më tej kemi nevojë për mbështetjen e Francës për t'u anëtarësuar në BE dhe NATO. 
 
Ambasadorja Oer informoi ministrin Kuçi,  për interesin në rritje të kompanive të mëdha shtetërore nga Franca për t'u kyçur në ndërtimin e kapaciteteve në Maqedoni, siç është hekurudha në drejtim të Bullgarisë, të investojnë në zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe në ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë. 
 
Oer shprehu besimin se Franca do të mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Maqedoninë, ndërsa ministri Kuçi falënderoi atë për kontributin e saj dhe i uroi suksese në karrierën e saj në të ardhmen.