Maqedoni
Filloi pagesa e akontimeve të para, shumë qytetarë presin të gjejnë emrin në listë
23.08.2016 18:26
Ka filluar pagesa e akontimeve të para prej 30 mijë denarëve për personat të cilët pësuan nga vërshimet e 6 gushtit...

Ministria e Financave filloi me dhënien e të hollave të para për këta persona që në mëngjes.
Por, paratë nuk janë lëshuar për të gjithë të dëmtuarit dhe kjo ka shkaktuar rrëmujë nëpër banka, pasi qytetarët nuk dinin në cilën bankë të kërkonin të hollat e tyre.
“Po, i kemi marrë paratë, në mëngjes i mora, rreth orës nëntë. Nuk kishte shumë njerëz para meje”.
“Nuk e di, këtu nuk kishte të holla për mua. Më thanë të shkoj të kontrolloj në bankë tjetër, ndoshta aty i kanë dërguar”.
“Po, të gjitha paraqitjet i kam bërë dhe për fat të mirë është dashur që e gjitha puna të jetë në rregull. I morëm të hollat para 10 minutave dhe gjithçka është në rregull, mora 30 mijë denarë kompensim dhe 10 mijë denarë ndihëm sociale”.- thanë banorët e intervistuar nga TVM2.
Edhe në lagjen Hasanbeg të Shkupit shumë banorë nuk e kanë gjetur veten e tyre në listën fillestare të kompensimit. Ata kërkojnë sqarime nga kompetentët se kur do të azhurnohet lista që të mund të paraqesin xhirollogaritë e tyre në Ministrinë e Financave. Thonë se të dhënat i kanë paraqitur tek komisionet për vlerësim.
“I kam paraqitur të gjitha të dhënat, por asgjë nuk ka. Emri im në listë nuk është. Shkova deri te banka, më thanë jo nuk të kanë ardhur të hollat”.
“Të gjitha të dhënat i kemi dorëzuar këtu, me emër, mbiemër, xhirollogari, me gjithçka. Erdha këtu për të parë, por nuk e gjeta vetën te lista”.
“Jemi regjistruar me letërnjoftime, me gjithçka, me numra, por asgjë nuk ka deri tani”.
“Prej ditës së parë jam paraqitur dhe i kam dhënë të dhënat e mia, por ende nuk e kam gjetur emrin tim në listë. Isha, pyeta, dhe më thanë ende askund s’jeni në listë. Tash erdha sërish këtu për të parë mos kanë futur persona të rinj në këtë listë, por e shoh se edhe këtu nuk ka gjë”.- u shprehën banorët e TVM2.
Nga Ministria e Financave thonë se afati për paraqitjen e xhirollogarive do të zgjasë derisa të kompensohen të gjithë.
Por, pa sqaruar nëse do të ndërmarrin ndonjë masë shtesë për të lehtësuar paraqitjen e të dëmtuarve në këtë ministri, pasi deri tani ka vërejtje të shumta nga qytetarët se numrat e vënë në dispozicion janë të mbingarkuar dhe nuk arrijnë të paraqiten.
REXHEP QAMILI
