Botë

Seri tërmetesh në Itali, 18 lëkundje lanë pas mbi 60 viktima dhe shkatërrim

24.08.2016 10:26

Italia qendrore u godit nga tre tërmete të fuqishme, njëri nga ato prej 6,2 ballësh në fshatin Akumoli...

Italia qendrore u godit nga tre tërmete të fuqishme, njëri nga ato prej 6,2 ballësh në fshatin Akumoli, i cili rezultoi në një katastrofë të vërtetë njerëzore e që dërrmoi zonat rurale në afërsi të Peruxhës.
 
Raportohet për të paktën 60 viktima dhe më shumë se 150 të humbur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit në mënyrë intensive vazhdojnë me orë të tëra për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shumta të shembura.
 
Tërmeti goditi në orën 03:36 të mëngjesit 76 km në juglindje të Peruxhës, me epiqendër në fshatin Akumoli. Lëkundja e parë dhe më e fuqishme u pasua nga disa të tjera prej 3,8 dhe 3,9 ballësh, duke shtuar panikun mes mijëra njerëzve që kishin mbushur rrugët e qytezave dhe fshatrave.
 
Situatë më dramatike mësohet të jetë në fshatin historik, Amatriçe, i cili pothuajse në tërësi është bërë rrafsh me tokën.
 
“Atje janë katër të vdekur. Kur të shkoni atje, ju mund t’i gjeni ata akoma aty”,- tha një banor i Akumolit.
 
“Oh Zot, nuk di se sa zgjati, shumë”,- theksoi një banore e Akumolit.
 
“Tërmeti bubullinte, nuk ndaloi. Në fund, kur u ndal, u çova, vesha pantallonat, çorapet dhe këpucët dhe ika nga shtëpia”,- u shpreh një banor i Akumolit.
 
“Ne ndjemë shokun, e para ishte shumë e fuqishme. Më pas ne dolëm jashtë, sepse ishte shumë e fortë. Për fat dera u hap, ndryshe do të kishim ngelur aty”,- theksoi një banor i Akumolit.
 
“Jemi duke punuar pa lodhur, ne nxorëm një djalë, i cili për fat ende ishte gjallë. Por, nën atë ishte edhe një nënë me një fëmijë, të cilët shpresojmë të jenë gjallë. Ata ishin pesë persona në shtëpi”,- deklaroi një banor i Amatrices.
 
“Ishte e tmerrshme për shkak të memories nga hera e kaluar. Ne ndjemë frikën të cilën nuk e kishim ndjerë shtatë vite më parë. Ishte shumë e fuqishme”,- tha një banor i Akuilas.
 
“Nuk mund të gjej fjalë. Frika është ende e fuqishme, ishte një dezhavu e tmerrshme”,- theksoi një banor i Akuilas.
 
Kryeministri italian, Matteo Renzi, duke reaguar për tërmetin që preku zonat qendrore të vendit, deklaroi se në “kohë të vështira, Italia e di se çfarë duhet të bëjë kur gjërat shkojnë keq”. Ai premtoi se asnjë italian që ka nevojë për ndihmë nuk do të lihet pa u ndihmuar. Agjencia italiane e Mbrojtjes Civile e cilësoi krizën si shumë të rëndë, ndërsa vijojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në shumë zona të dëmtuara.
 
“Kemi problem për arritje në disa rajone, por jemi duke u munduar të zgjidhim këtë problem me ndihmën komunave dhe ushtrisë. Kjo është magnitudë serioze e tërmetit”,- deklaroi drejtori i Agjencisë italiane të Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio.
 
Në zonat e goditura më rëndë raportohet se shumë të plagosur po kurohen në rrugë. Zyrtarë italianë nga terreni paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm, ndërsa e kanë krahasuar tërmetin me atë të Akuilës në prill të vitit 2009, që i kushtoi jetën 309 njerëzve.
 
LEUNORA KALIQI