Banorët presin azhurnimin e listës, MF pret të dhënat e reja të përpunuara nga komisionet
Ministria e Financave akoma nuk e ka bërë azhurnimin e parë të listës së kompensimeve...

Ministria e Financave akoma nuk e ka bërë azhurnimin e parë të listës së kompensimeve për personat që pësuan nga vërshimet e 6 gushtit.
Nga ky dikaster për TVM-2 sqarojnë se këtë do ta bëjnë pasi të arrijnë të dhënat e reja të përpunuara nga komisionet për vlerësimin e dëmeve. Kryetari i Komisionit qeveritar për vlerësimin e dëmeve, Ejup Alimi, thotë se shqyrtimi i kërkesave është në proces të sipër.
"Deri më tani Komisioni ka regjistruar 4.500 shtëpi, tek të cilat është bërë vlerësimi i dëmeve nga vërshimet. Pa marrë parasysh se sa është dëmi i shkaktuar, Qeveria ka vendosur që dëmi nga vërshimet të kompensohet në masën 100%. Ne si Komision jemi në fazën përfundimtare të vlerësimeve në terren dhe shpresojmë që së shpejti ai të përfundojë, që më pas të fillojë edhe procedura e kompensimit të dëmeve për banorët e zonave të prekura nga vërshimet",- deklaroi kryetari i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve, Ejup Alimi.
Ndërkohë, në terren vazhdon pagesa e parë prej 30 mijë denarësh për 2.154 personat tashmë të regjistruar në listën e Ministrisë së Financave. Shumë banorë thonë se kanë mbetur jashtë listës dhe këtë e arsyetojnë me faktin se ende nuk kanë të holla në xhirollogarinë e tyre.
“Më thanë se jam diku në listë për t’i marrë të hollat. Kontrollova te dy banka, por askund nuk kishte para për mua. Nuk jam paraqitur te ato numrat e telefonit për t’i dhënë të dhënat, nuk i di as numrat e telefonit”. “Nuk ka, isha tek të gjitha bankat, por nuk kishin dërguar të holla për mua. Kontrollova lista më posht tani edhe këtu, por kot, nuk jam në asnjë vend. Kjo është çmenduri”. “Kemi aplikuar dhe jemi paraqitur tek të gjitha numrat, por emri im nuk është fare. Vrapo në Hasanbeg, Haraçinë, gjithandej, por asgjë. Isha në bankë dhe më thanë kërkoje emrin te listat, erdha këtu dhe sërish nuk e gjeta vetën askund. U lodhëm më”.- shprehen banorët e lagjeve të dëmtuara për TVM2.
Autoritet lokale në Hasanbeg u bëjnë thirrje banorëve të kenë durim derisa përpunohen të dhënat e tyre nga komisionet përkatëse.
“Këto të dhëna përpunohen me etapa, ashtu që besoj se gjithçka do të kryhet me sukses. Gjithkund ku kanë qenë komisionet për vlerësimin e dëmeve dhe në bazë të të dhënave të Komisionit do të përpunohen lëndët në Ministrinë e Financave”,- theksoi kryetari i B. L. “Jane Sandanski”-Hasanbeg, Nijazi Amiti.
Procesi i shqyrtimit të vlerësimeve është paraparë të përfundojë për më pak se 1 muaj dhe në të është paraparë që nga shuma e përgjithshme e përcaktuar për banorët që pësuan nga vërshimet të minusohet shuma paraprake prej 30 mijë denarëve që tashmë po marrin banorët e dëmtuar. (Rexhep Qamili, TVM2)
