Turqi, vazhdojnë sulmet kundër ISIS-it në Siri

24.08.2016 17:18

Turqia vazhdon aksionin kundër ISIS-it në veri të Sirisë...

Turqia vazhdon aksionin kundër ISIS-it në veri të Sirisë si dhe kundër grupimeve  të militantëve kurdë.

Përgjatë orëve të fundit janë shkatërruar afro 70 objektiva nga zjarri i artilerisë e goditjet me raketa, prej të cilave 12 u sulmuan përmes bombardimeve ajrore, ndërkohë që pjesa tjetër me tanke.

Mediat kanë raportuar se pas kolonës së tankeve ishin vendosur makineri më të vogla ushtarake, në të cilat besohet se kishte rebelë sirianë.

Ky aksion vjen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme në rajonin juglindor të vendit. Në një komunikatë për mediat, presidenti i vendit, Rexhep Taip Erdogan, u shpreh se qëllimet e kësaj ofensive janë dy: shkatërrimi i “Shtetit Islamik”, si dhe lufta kundër militantëve kurdë.

Aksioni i Turqisë vjen në një kohë kur përgjatë dy viteve të fundit rajoni juglindor i vendit është karakterizuar nga destabiliteti, pikërisht për shkak të celulave të shumta të ISIS-it që ndodhen në këtë zonë.

Qeveria e Ankarasë, nga ana tjetër, vijon të mbetet e vendosur, duke nënvizuar se nuk ka ndërmend që të japë autonomi për asnjë pjesë të vendit. ISIS-i ishte dhe arsyeja e bastisjeve të orëve të para të ditës në Stamboll nga njësitë turke të antiterrorit.

Sot në Turqi mbërriti zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i cili u kthye kësisoj në zyrtarin perëndimor më të lartë që viziton vendin pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik. (Gazmend Rexhepi, TVM2)