Maqedoni
LSDM: mashtrimi i radhës i pushtetit vlen 3.5 mln euro
24.08.2016 17:37
LSDM e quan marrëveshje të dyshimtë vendimin për ndërrimin e pronave të shpërndara të ndërmarrjes komunale me një pronë të vetme në Shkup...

Sipas LSDM-së, pushteti planifikon të harxhojë 3.5 milion euro të qytetarëve për një ndërtese të vjetër dhe jofunksionale, pa zgjidhur aspak problemin madhor të ndërmarrjes komunale, që është parkimi i automjeteve, për të cilat do të vazhdojë të paguhet edhe më tej qira firmës me të cilën u lidh marrëveshja.
“Në ndërrimin e paralajmëruar me firmën “Unitajers siti”, të cilës duhet t’i kompensohen këto 3.5 milionë euro, fshihet marrëveshje e dyshimtë biznesi, me çka do të dëmtohen qytetarët. Për këtë nuk ka arsyetim as ekonomik as të çfarëdo lloji. Në pajtueshmëri me këtë marrëveshje, Ndërmarrja Publike Komunale në Shkup duhet të paguajë 3.5 milionë euro për një ndërtesë administrative në gjendje të keqe, duke hequr dorë nga vende atraktive në më shumë lokacione në Shkup. Si do t’i parkojë mjetet e saj në qytet kjo ndërmarrje? Ajo do të vazhdojë t’i parkojë, duke paguar çdo muaj nga 12 mijë euro pikërisht kompanisë “Unitajers siti”. Qytetarët e Shkupit nuk kanë nevojë për harxhime milionëshe kur Qeveria nuk ka para të mjaftueshme të kompensojë të dëmtuarit nga vërshimet. LSDM kërkon tërheqjen urgjente të vendimit për ndërrimin e pronave mes ndërmarrjes komunale dhe firmës private “Unitajers siti”, në të kundërtën do vërtetohet se VMRO-DPMNE dhe Koce Trajanovski po mbrojnë një marrëveshje kriminale biznesi”,- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.
BESIM ABDULLAI
