Ligji për fushata informative dhe reklamuese, LSDM: Qeveria kërkon të blejë mediat

24.08.2016 17:37

Shumica parlamentare hodhi poshtë kërkesën e opozitës maqedonase...

Shumica parlamentare hodhi poshtë kërkesën e opozitës maqedonase për të hequr nga rendi i ditës propozim ligjin për fushata informative dhe reklamuese të institucioneve publike.

Sipas opozitës, ky ligj nuk buron nga marrëveshja politike dhe paraqet akt të njëanshëm të pushtetit për të korruptuar mediat me para buxhetore për reklama të institucioneve.

“Qeveria konsideron se me para të qytetarëve mund të blejë mediat që të bëhen vitrinë për shpalljen e qeverisë, në vend që të informojnë opinionin objektivisht dhe të pavarur. Marrë parasysh se në këtë shtet nuk ka dallim mes partisë në pushtet dhe shtetit, ky ligj është edhe një përpjekje e turpshme që edhe më tej të mbajë peng mediat, prandaj kërkojmë që të hiqet nga rendi i ditës”,- deklaroi Tomislav Tuntev nga LSDM.

Sipas deputetit opozitar, Tomisllav Tuntev, nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, atëherë ky ligj do të jetë në funksion vetëm 10 ditë, prandaj dyshon se qëllimi i miratimit të tij është që në këto pak ditë qeveria të nënshkruajë marrëveshje me mediat për fushata reklamuese që, në fakt, do të paguajë fushatën zgjedhore.  Për këtë arsye opozita paralajmëroi se do të përpiqet të bllokojë miratimin e këtij ligji me orëzimin e qindra amendamenteve.

Propozim ligji për fushata informative dhe reklamuese të institucioneve publike është në procedurë parlamentare në lexim të parë. Më pas do të vazhdojë debat rreth amendamenteve në komisionet përkatëse.

Shumica hodhi poshtë edhe propozimin e opozitës për ndryshimin e Ligjit për lustrim dhe kërkesën e deputetes Topuzova që të hiqet nga rendi i ditës Ligji për planifikim hapësinor dhe urbanistik, i cili propozohet të miratohet me procedurë të shkurtë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)