Kulturë

Nënë Tereza, letërkëmbimet dhe dokumentacioni në një ekspozitë

24.08.2016 18:24

Në prag të përvjetorit të 106 të lindjes së humanistes, Nën Tereza, që ndryshe nga çdo përvjetor tjetër këtë vit i paraprinë...

Në prag të përvjetorit të 106 të lindjes së humanistes, Nën Tereza, që ndryshe nga çdo përvjetor tjetër këtë vit i paraprinë dhe shenjtërimit të saj më 4 shtator nga bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, në bashkëpunim me institucione relevante nga Kosova, Shqipëria dhe Zvicra, pas angazhimit njëvjeçar në grumbullimin dhe selektimin e dokumentacioneve që dëshmojnë fuqishëm identitetin dhe veprimtarinë e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, me datë 26 gusht, do të shfaq ekspozitën e parë të këtij karakteri. 
 
“Një privilegj nuk e kanë qytetet tjera, nuk e ka as Kalkuta, as Tirana, as Prishtina, askush në Botë, por e ka Shkupi, sepse ajo ka lind në Shkup dhe ne e kemi pas për borxh ta argumentojmë veprimtarinë e saj, identitare, humanitare dhe paqësore, dhe ne ia kemi arritur qëllimit. Të premten do të hapim këtë ekspozitë dhe do të jetë e hapur për gjithë opinionin e gjerë. Besojmë që kjo frymë  dhe këto dokumente dhe fotografi do të shkojnë si një mesazh në mbarë Botës, se ajo i përket fillimisht popullit shqiptar, pastaj të gjithë Botës”,- tha historiani, Skënder Hasani. 
 
Në fuqinë argumentuese të ekspozitës së parë për identitetin e Nën Terezë, kontributin më të rëndësishëm e ka dhënë studiuesi, Albert Ramaj, nga Zvicra.  
 
“Në bashkëpunim me Albert Ramaj, pasardhës i pagëzuesit të Nën Terezës, At Zef Ramaj, tash pas 106 viteve, pikërisht një pinjoll i kësaj familje, një studiues i mirëfilltë i arkivave në Europë, dhe sidomos për figurën e Nënë Terezës, këtë koincidencë ne e kemi menduar shumë mirë, sepse at Zef Ramaj e pagëzoi, ndërsa Alber Ramaj po na nxjerrë fakte dhe argumente për veprimtarinë e saj deri sa ka vdekur”,- theksoi historiani, Skënder Hasani.
 
Ekspozita në Shkup do të prezantohet në ditën e lindjes së Nën Terezës, më 26 gusht, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shkup-“Hamami i Daut Pashёs”, ndërsa po pritet me vëmendje të lartë edhe nga përfaqësuesit dhe institucionet nga Kosova, Shqipëria dhe ambasadorët e vendeve tjera.
 
E njëjta do të ketë vazhdimësi të ekspozimit në New York, më datën 9 shtator, gjithashtu do të ekspozohet në Vatikan, Prishtinë dhe Tiranë.  
 
ARLINDA BAFTIU