PSP: ata që nuk i përgjigjen ftesës do të arrestohen
Ata që dy herë nuk do të përgjigjen në ftesat e Prokurorisë Speciale, qoftë si dëshmitarë apo në cilësinë e të akuzuarve...

Ata që dy herë nuk do të përgjigjen në ftesat e Prokurorisë Speciale, qoftë si dëshmitarë apo në cilësinë e të akuzuarve, rrezikojnë që herën e tretë të arrestohen për t’u sjellë në PSP, pasi ajo do të ketë lëshuar urdhër për paraqitje të detyrueshme, sqarojnë nga kjo Prokurori.
Prokuroria Speciale do të lëshojë urdhra për arrestim edhe në qoftë se personat janë jashtë Maqedonisë, sqarojnë nga Prokuroria Speciale pas informatave se disa të ftuar në procedurën parahetimore kanë deklaruar se janë në pushim ose udhëtim zyrtar, ose thjesht i kanë injoruar ftesat e PSP-së.
“Tanimë kemi bashkëpunim të shkëlqyer me organet gjyqësore të vendeve të BE-së, ShBA-së dhe me vendet e rajonit më të gjerë”,- thonë nga Prokuroria Speciale.
“Ne na qëndrojnë në dispozicion mekanizmat e njohura për bashkëpunim ndërkombëtar. Do t’i përdorim të gjitha mekanizmat, në qoftë se është e nevojshme edhe do të nënshkruajmë urdhër-arreste dhe dorëzim të dëshmitarëve të ikur eventual ose të dyshuarve nëpërmjet Interpolit”,- thonë nga ekipi i Katica Janevës.
Nga kjo Prokurori po ashtu thonë se në punën e tyre nuk do të lejojnë të ndikojë askush nga jashtë, qoftë edhe protestat eventuale në rast të arrestimit të personave të caktuar.
“Nëse ekzistojnë rreziqe, hetuesit do ta njoftojnë MPB-në. Ajo do të jetë test për policinë dhe për institucionet e tjera se a do të veprojnë sipas ligjit”,- thonë nga PSP.
Nga e hëna pritet seri e re e dëshmive, kanë bërë të ditur nga PSP.
GYLTENE SINANI
