Botë

Itali, rritet numri i të vdekurve nga tërmeti, gjendet e gjallë 8-vjeçarja nën gërmadha

25.08.2016 16:35

Arrin në 257 numri i të vdekurve në Itali, bëjnë të ditur nga Departamenti i Mbrojtjes Civile...

Viktimat janë 190 në Reatino dhe 57 në Ascolano, ndërsa në orën 5:17 u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 4,5 ballë Righter, që preku kryesisht zonën e Marches në Lacio.
 
Shumica e të mbijetuarve janë strehuar nëpër shkolla dhe palestra sporti, disa prej tyre flenë nëpër vetura në pronat e tyre të shkatërruara, por gjendja psikologjike e të mbijetuarve është shumë e rënduar.
 
"Këtu janë 350 të zhvendosur që presin, të tjerët po qëndrojnë në makinat e tyre, sepse ata nuk duan të braktisin pronat dhe për këtë arsye ata janë duke qëndruar në makinat e tyre, ndërsa në objektin e palestrës janë edhe 50 njerëz, janë kategoria me e ndjeshme, ata janë kryesisht pleq, njerëz të cilët nuk mund të ecin, njerëzit që kanë nevojë për më shumë mbrojtje, fëmijë etj. Njerëzit janë të traumatizuar, ata kanë humbur gjithçka, punën e një jete të tërë, bizneset e tyre, dyqanet, barnatoret, humbën brenda një dite dhe kjo nuk është e lehtë”,- deklaroi ndihmësi i civilëve, Tiziano De Carolis.
 
Të pastrehët janë me mijëra, ndërkohë që vazhdohet të gërmohet me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Një vajzë 8-vjeçare u gjet nën gërmadha shumë orë pas tërmetit 6.2 ballësh në Amatrice.
 
“Ne do të shkojmë përpara në këtë mënyrë, ne përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për gjetjen e të zhdukurve, duke përfshirë rolin e rëndësishëm të qenve. Ne kemi 30 prej tyre duke punuar tani në rrënojat dhe të gjithë jemi duke u përqendruar në mundësinë për të gjetur dikë të gjallë”,- tha Luca Cari nga ekipet e kërkim shpëtimit.
               
Situata sizmike në këtë zonë vazhdon të jetë me një aktivitet të lartë me shumë tërmete që pasojnë njëra-tjetrën në zonë. RAI1 transmeton se qindra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Shumë prej viktimave nga tërmeti besohet të jenë fëmijë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU