Maqedoni
S’kompletohet trupi Ad-Hok, nesër vazhdojnë përpjekjet për anëtarin e pestë
25.08.2016 18:09
Katër anëtarët e trupit Ad-Hok nuk arritën të zgjedhin anëtarin e pestë shqiptar edhe në takimin e dytë brenda ditës...

Ndërkaq, mbledhja e mesditës dështoi në mungesë të anëtarëve nga VMRO-DPMNE, Cvetin Çilimanov dhe Sllagjana Dimishkova.
Edhe përkundër faktit se anëtarët e LSDM-së ftuan partitë, nënshkruese të marrëveshjes politike, të ndërhyjnë në përzgjedhje, trupi Ad-Hok pritet të takohet edhe nesër.
I gjithë debati që duhej të përmbyllej dje po zhvillohet për dy emrat, Sefer Tahiri dhe Daut Dauti. Përplasjet për moszgjedhjen e anëtarit të pestë janë shtrirë edhe në ty taboret politike maqedonase, LSDM dhe VMRO.
LSDM kërkoi nga trupi Ad-Hok të kompletohet dhe të nis punën, ndërkaq akuzuan Gruevskin për ndikim ndaj mediave dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve.
“Është e qartë se përse VMRO-DPMNE-së nuk i konvenon të përzgjidhet ekspert dhe është evidente se Gruevski dëshiron që trupin Ad-Hok ta shndërrojë në marionetë partiake, siç është Agjencia e Mediave. Për fat të keq, kjo nuk do të ketë sukses. Deri në fund të vitit do të ketë zgjedhje fer dhe më pas reforma që s’do t’i ndalë VMRO-DPMNE”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Ndërkaq, për VMRO-DPMNE trupi Ad-Hok nuk guxon të bie preh e trysnive të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
“Po të dëshironte LSDM media të lira, nuk do të kërkonte që të emërojë kryeredaktorin e programit informativ në TVM. LSDM asnjëherë nuk ka dashur media të lira, por kontroll të plotë ndaj mediave. Trupi Ad-Hok nuk guxon të bie preh e trysnive të kriminelit të aboluar, Zoran Zaev. VMRO–DPMNE përkrahë plotësisht trupin Ad–Hok në përzgjedhjen e kandidatit të pestë,”- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Nga Agjencia e mediave apelojnë që partitë të mos i përfshijnë ata në përplasjet e tyre, pasi Agjencia kryen punën profesionalisht.
Ata nesër kur pritet të vendosin për metodologjinë e punës, do të veprojnë në bazë të ligjit sa i takon kompletimit të trupit Ad-Hok.
MERAL ISMAILI
