Maqedoni
Propozim-ligji për buxhete përplas deputetët, Qeveria do 5% të buxhetit pa miratimin e Kuvendit
25.08.2016 18:23
Qeveria kërkon që të menaxhojë 5% të buxhetit pa aprovimin e Kuvendit...

Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhete, i cili po shqyrtohet me procedurë të shkurtuar, i mundëson qeverisë që në raste të gjendjes së jashtëzakonshme të mund të bëjë ridedikimin e 5% të buxhetit mes shfrytëzuesve buxhetorë, pa bërë dhe miratuar rebalancin e buxhetit në Kuvend.
Shumica parlamentare është e gatshme që këtë kompetencë të pushtetit ligjvënës t’ia delegojë ekzekutivitit. Opozita kundërshton.
“Ky propozim-ligj fatkeqësisht ka qëllime të errëta. Nuk ka qëllime të mira. Nuk ka qëllim që t’u ndihmohet qytetarëve apo të prevenon ndonjë fatkeqësi të tillë. Mbani mend, nuk guxon të mënjanohet Parlamenti, në veçanti nga çdo ndryshim që i bëhet buxhetit. Është shkelje e rëndë, ndërhyrje e një pushteti në pushtetin tjetër. Në këtë rast ndërhyrje brutale e pushtetit ekzekutiv në kompetenca që nuk i takojnë atij. Ia merr kompetencat pushtetit legjislativ”,- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
“Qeveria tani ia merr këtë të drejtë Kuvendit dhe ia jep vetes. I ikën atij kontrolli, i cili në çdo vend demokratik ekziston, që Kuvendi e aprovon harxhimin e parave të popullit. Nëse qeveria donte ta përshpejtojë procedurën për shpenzime emergjente buxhetore në kushte të gjendjes së krizës, do të propozonte të shkurtohet afati që Kuvendi të miratojë një ndryshim të tillë të buxhetit”,- tha Marianço Nikollov nga LSDM.
Mirëpo, sipas shumicës parlamentare, me ndryshimin nuk humbet kontrolli mbi shpenzimin e parave buxhetore, por i krijohet mundësi qeverisë që të sigurojë para buxhetore të nevojshme për të ndërhyrë më shpejt në raste të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Edhe vetë e dini se me rregullativat ligjore aktuale ne nuk mund të ndihmojmë menjëherë. Ne mund të fillojmë rebalanc buxheti, siç kemi filluar, por sipas procedurave ligjore ai rebalanc nuk mund të mbarojë para 30 ditëve. Që në të ardhmen të ndihmohet menjëherë, mos dhashtë Zoti, kur të ketë gjendje krize, e cila është definuar qartë se çfarë është, si: konflikt luftarak, sulm, fatkeqësi natyrore, si përmbytje, zjarre dhe tërmete; me këtë nen japim mundësi që qeveria të mund të ndihmojë me rialokimin e mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetor”,- theksoi Kërsto Mukovski nga VMRO-DPMNE.
Konform ligjit në fuqi, Qeveria gëzon të drejtën që të bëjë rialokim të fondeve buxhetore mes ministrive dhe organeve të tjera të administratës shtetërore ne nivelin 3%.
Çdo ndryshim mbi këtë masë konsiderohet si rebalanc buxheti dhe duhet të aprovohet në Kuvendin republikan. Miratimi i buxhetit në procedurë të rregullt merr 25 ditë pune.
SHPËTIM NUREDINI
