Maqedoni

Banorët e Hasanbegut apel që sa më shpejtë të riparohen shtëpitë

25.08.2016 18:31

Hasanbegu tani më dalëngadalë po i kthehet jetës normale...

Banorët thonë se situata po normalizohet falë ndihmës institucionale, por edhe nga sektori joqeveritar dhe humanistët.
 
Ata  njëherit i bëjnë apel Qeverisë që shtëpitë e shkatërruara sa më shpejtë t’i riparojnë. Po ashtu disa nga banorët e Hasanbegut dhe Haraçinës edhe sot janë ankuar se nuk gjenden në listat për kompensim.  
                                    
“Situata është duke u përmirësuar dukshëm, kemi pasur ndihma prej Qeverisë, prej organizatave humanitare, sidomos prej organizatave jemi shumë të kënaqur. Uji, buka dhe ushqimet kryesore na kanë ardhur me kohë. Jemi duke u munduar tani disa shtëpi që janë shumë të shkatërruara, popullata kanë dalë, i lutemi Qeverisë, Ministrisë Sociale që sa më shpejtë t’i lëshojnë fondet në mënyrë që  të përmirësohen shtëpitë”.
 
“Ne jemi prej Haraçinës, mirëpo s’janë listat. Në Komunë na thanë që jeni në listë, tani nuk e di, ta shikojmë. Kemi qenë nëpër banka, mirëpo nuk na kanë lëshuar ende asgjë”.- thanë banorët e intervistuar nga TVM2.
 
Ndërkohë, në Hasanbeg edhe sot kanë vazhduar ndihmat nga organizatat humanitare. OH “El Hilal” ka ndihmuar 100 familje me polikollor, ngjitëse për pllaka dhe ngjyrë për dysheme.
 
Aksioni është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa ndihmat u janë shpërndarë familjeve përmes koordinatorëve të organizatës.                                                                                                                                                                                     
“Sot OH “El Hilal” nga një donator nga Shkupi, nga një kompani pranon një sasi të ndihmave humanitare në material ndërtimor, përkatësisht ngjitëse për pllaka të kuzhinës dhe të banjos, gjithashtu polikollor dhe ngjyrë për dysheme. Që nga fillimi i fatkeqësisë, OH “El Hilal” në Hasanbeg dhe në rajonet e përmbytura ka dërguar 14 dërgesa me ndihmë humanitare dhe kjo sot mund të konsiderohet se është dërgesa më vëllimore dhe më e madhja, edhe në sasi edhe në vlerë, dhe shpresojmë se këto aksione do të vazhdojnë edhe më tej”,- theksoi  kryetari i OH “El Hilal”, Behixhudin Shehapi.  
                                                                                                                                                     
Edhe shoqata “Alb Islam” ka filluar një aksion ndihme, ku do të ndihmohen pesë familje me riparimin e shtëpisë dhe me sigurimin e gjërave elementare për jetesë.    
                                         
“Sigurisht që me mjetet dhe donacionet që na i dhanë populli ynë shqiptar që të ndihmojmë shumë familje të prekura nga dëme të ndryshme. Disa familje veç më kemi filluar t’i ndihmojmë, siç është kjo familja këtu, domethënë ka pasur nevojë për shkak se skajshmërisht ka qenë e dëmtuar shtëpia e tyre dhe kemi filluar që nga fillimi t’i ndihmojmë, duke e riparuar prej në fillim shtëpinë”,- tha përfaqësuesi i Shoqatës “Albislam”, Nusret Ramadani.      
                                                                                                                       
Për zonat e përmbytura vazhdon edhe arritja e ndihmave edhe nga jashtë.
 
Qeveria e Sllovenisë vendosi që të akordojë 30.000 euro ndihmë humanitare për popullatën e prekur nga përmbytjet në Maqedoni, bëri të ditur Ambasada sllovene në Shkup.
 
ERSAN PAJAZITI