Botë
Itali, vazhdojnë kërkimet, rritet në 267 numri i të vdekurve
26.08.2016 10:03
Në zonat e prekura nga tërmeti në Italinë qendrore vijojnë kërkimet në gërmadha për të shpëtuar të mbijetuarit eventualë nga tërmeti i 24 gushtit....

Në zonat e prekura nga tërmeti në Italinë qendrore vijojnë kërkimet në gërmadha për të shpëtuar të mbijetuarit eventualë nga tërmeti i 24 gushtit, derisa Drejtoria e mbrojtjes civile konfirmoi se numri i viktimave ka mbërritur në 267, shumica prej tyre fëmijë.
387 është numri i të plagosurve të shtruar në spitalet e rajonit të Lacios, Marke e Abruzzo. Kryeministri italian, Matteo Renzi, nënvizoi se fatkeqësisht kjo nuk është shifra përfundimtare e viktimave, duke paralajmëruar se ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
“Dhimbja për këtë ngjarje nuk ka kufi. Ne nuk duhet të harrojmë se kemi obligim moral ndaj burrave dhe grave të këtyre zonave. Rekonstruimi është prioritet i qeverisë dhe këtij vendi. Ne dëshmuam se jemi më të mirët në menaxhimin me rastet emergjente, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë, na duhet një model i ri i zhvillimit dhe gjithashtu i ndërhyrjes”,- deklaroi kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.
Qeveria italiane ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Italinë qendrore. Nga Fondi i emergjencave civile janë vënë në dispozicion 234 milionë euro, 50 milionë nga të cilat janë menjëherë të lëvrueshëm nën koordinimin e Drejtorisë së mbrojtjes civile për të përballuar nevojat e çastit për të asistuar e rimëkëmbur vendet e dëmtuara.
Do të adaptohet edhe dekreti për shtyrjen e taksave për banorët e zonave të dëmtuara.
Por, ndryshimi i temperaturave e vështirëson edhe mirëqenien e qytetarëve tanimë të strehuar në tenda, ata, krahas ndihmave të pranuara, shpresojnë që sa më shpejt të vendosen në shtëpitë e tyre.
"Ishte një natë e vështirë, sepse ka ndryshim të madh të temperaturave, ditën është mjaftë nxehtë, natën ftohtë. Ndjej lagështi në eshtra. Ne na janë dhënë gjëra nga ekipi i mbrojtjes civile, por është shumë ftohtë. Krahas gjithë kësaj, ne jemi ende duke jetuar në shokun pastragjik, për të gjithë ata të cilët përjetuan tërmetin ka një ndikim të madh, në veçanti në atë psikologjik”,- tha banorja e Arquatas, Anna Maria Ciuccarelli.
"Ne kemi ndjerë shumë tronditje, e fundit ishte shumë intensive. Ishte pak kohë më parë. E ndjen se është tronditje, pasi që poçet elektrike lëvizin dhe kjo të lenë të kuptosh se dridhjet nuk vijnë nga këmbët tua, por nga tronditjet”,- theksoi Nicola Poli nga Mbrojtja civile.
"Ekziston një frikë e madhe për të gjithë. Një gjë që na ngushëllon është se njerëzit janë të sigurt në këto tenda, fundja për këtë periudhë”,- u shpreh Matteo Berni nga Mbrojtja civile.
Drejtoria e mbrojtjes civile informon se nga momenti i tërmetit e deri në mëngjesin e sotëm janë regjistruar 928 lëkundje tërmeti. Lëkundja e fundit e tërmetit është regjistruar në orën 6:28 minuta të mëngjesit të sotëm me shkallë 4.8.
Ndryshe, bilanci i viktimave është rritur në mënyrë të frikshme, por Italia i druhet një bilanci shumë më të keq se ai i shkaktuar nga tërmeti i Aquilas në 2009.
LEUNORA KALIQI
