Maqedoni

Shënohet 106 vjetori i lindjes së Nënë Terezës

26.08.2016 12:12

Shkupi shënon sot 106 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës...

Delegacione nga Maqedonia e Kosova që në mëngjes janë përkulur mbi plakën që shënon vendin ku lindi më 26 gusht të 1910, nëna e të gjithë të varfërve të botës, e cila do të shenjtërohet më 4 shtator pikërisht për mrekullinë e dashurisë që ua dha më të përvuajturve. 
 
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Më pas u vendos në Kalkutë (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.
 
Themeloi urdhrin "Misionaret e Dashurisë" (1951) për t'iu shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës dhe Indisë.
 
Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.
 
“Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978 vërtetuan prejardhjen e saj. Sot ky letërkëmbim është pjesë e një ekspozite që u hap në orën 11 në Hamamin e Daut Pashës në Shkup e që do të shëtisë edhe qytete të tjera të rëndësishme për të vërtetuar se kush ishte nëna e të varfërve të botës”.