Maqedoni
Kompensimi i dëmeve, banorët presin të gjejnë veten në listë
26.08.2016 13:45
Shumë banorë të zonave të vërshuara, që kanë mbetur jashtë listës së parë të shlyerjes së pagesave prej 30 mijë denarëve...

Shumë banorë të zonave të vërshuara, që kanë mbetur jashtë listës së parë të shlyerjes së pagesave prej 30 mijë denarëve, vazhdojnë të kërkojnë efikasitet dhe përshpejtim të këtij procesi nga institucionet përkatëse.
Një pjesë e banorëve që pësuan nga vërshimet e 6 gushtit vazhdojnë të jenë në pritje nëse e nesërmja do t’i gjejë ata në listën e kompensimeve.
Vonesa e azhurnimit të kësaj liste në të shumtën e rasteve u ka krijuar probleme, pasi që disa prej tyre veç më kanë marrë materiale ndërtimore për të meremetuar shtëpitë dhe presin pagesën nga shteti për të shlyer fitmet e materialeve.
“Isha nëpër bankë, por thanë derisa nuk e gjen veten në listë nuk do të ketë të holla. Por, ne momentalisht kemi shumë nevojë për ndihma në të holla, sidomos për shembull si unë që kam shkuar të marr qeramikat, duke menduar se do t’i marr së shpejti paratë dhe do t’i paguaj, por ja si lëshuan të hollat”.
“Kemi në plan pasi që na lëshojnë pagën fillestare prej 30 mijë denarëve të blej gjëra shtëpiake. Jemi në pritje këto ditë mos vallë i lëshojnë mjetet, sepse jemi dobët me të holla”.
“Kam nevojë të blej makinë për larjen e rrobave, ato para nuk janë për më shumë, por gjithsesi një gjë do të mbulojnë në shtëpi. Shpresojmë shumë se shteti do të na ndihmojë më vonë për shlyerjen e mjeteve të tjera për meremetimin e shtëpive të dëmtuara”.
“Banka ende nuk ka mjete për mua. Jam në listë, jam paraqitur, gjithçka është në rregull, por thonë se të holla nuk ka”.- kështu u shprehën banorët e lagjeve të dëmtuara nga përmbytjet për TVM2.
Nga Ministria e Financave informojnë se deri në këto çaste akoma nuk është bërë azhurnimi i listës së parë për kompensimin e banorëve. Nga ky dikaster sqarojnë se procesi i shlyerjes së 2.154 banorëve në vlerë prej 500 eurove do të vazhdojë të realizohet derisa nuk kompensohen të gjithë. Nga vërshimet intensive të 6 gushtit u dëmtuan mbi 5000 shtëpi.
REXHEP QAMILI
