Botë
Shpërthim në Turqi, bombë në një stacion policie,11 të vrarë
26.08.2016 15:20
Një shpërthim me bombë ka tronditur në orët e para të mëngjesit të sotëm një stacion policie në juglindje të Turqisë...

Një shpërthim me bombë ka tronditur në orët e para të mëngjesit të sotëm një stacion policie në juglindje të Turqisë, teksa deri më tani raportohet për 11 oficerë të vrarë dhe mbi 78 të tjerë të plagosur.
Situata vijon të mbetet e paqartë, por mediat vendase kanë transmetuar këto pamje, ku tregohet zona ku u ekzekutua sulmi.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se në qytetin Cizre u dërguan menjëherë dy helikopterë dhe 12 autoambulanca, teksa të plagosurit po trajtohen në ambientet spitalore.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij sulmi të radhës në këtë rajon të Turqisë, por dyshimet më të mëdha bien mbi militantët kurdë që prej dekadash kërkojnë autonominë.
Në bazë të burimeve paraprake, nuk përjashtohet mundësia e rritjes së bilancit të viktimave.
Ndërkohë, pritet nga momenti në moment një komunikatë zyrtare e autoriteteve, të cilët do të hedhin më shumë dritë mbi këtë sulm të radhës në rajonin që përgjatë muajve të fundit është karakterizuar nga destabiliteti.
GAZMEND REXHEPI
