Maqedoni

Nënë Tereza, ekspozita “Shenjtorja shqiptare, letërkëmbimet”

26.08.2016 16:07

Në nderim të figurës së humanistes shqiptare, të lumes Nënë Tereza, sot 106 vite nga ardhja në jetë...

Në nderim të figurës së humanistes shqiptare, të lumes Nënë Tereza, sot 106 vite nga ardhja në jetë, përfaqësues të institucioneve nga vendi, Kosova dhe Shqipëria vendosën lule pranë pllakës përkujtimore ku dikur qëndronte shtëpia ku Nënë Tereza kaloi 18 vitet e para të jetës. 
 
“Mendoj që 106 vjetori i lindjes së saj duhet të jetë dhe një mesazh i kthimit të figurës së saj në prag të shenjtërimit që do të ndodhë më 4 shtator. Muaji shtator, konkretisht data 5 shtator, nga Parlamenti i Kosovës është shpallur Dita e Bamirësisë, mendoj që duhet të jetë dhe përkushtim i yni sidomos në kohën kur fshatrat shqiptare në Maqedoni kanë përjetuar një dramë të vërtetë nga vërshimet e fundit, që ne të solidarizohemi, të jemi përkrah tyre dhe të përforcojmë mesazhin e përbashkët të kombit shqiptar”,- deklaroi kryetarja e Grupit të grave deputete nga Kosova, Blerta Deliu.
 
Pas ceremonisë u hap edhe ekspozita “Shenjtorja shqiptare, letërkëmbimi”, ku u shfaqën dokumentacione të identitetit të Nënë Terezës, si certifikata e lindjes, trungu familjar, fletëpronësia dhe korrespondencat deri tani të panjohura për opinionin, deklaroi organizatori i ekspozitës, historiani, Skender Hasani. 
 
“Në kohën kur gjithë bota është ngritur në këmbë për të pritur shenjtërimin e shqiptares nga Shkupi, Gonxhes së mbiquajtur Nënë Tereza, jemi të mendimin se ky proces duhet të fillojë  pikërisht aty ku ajo filloi jo vetëm jetën, por edhe misionin e madh të bamirësisë, humanitetit dhe dashurisë”,- tha drejtori i ITShKSh-së, Skender Hasani.
 
“Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë, Gonxhja jonë u bë qytetare e botës, e popujve, e feve dhe qytetërimeve”,- u shpreh ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka.
 
“Më lejoni të shpreh një kënaqësi të veçantë, që së bashku me zëvendëskryeministrat shqiptarë nga Maqedonia, deputetët nga Kosova, deputetët nga Maqedonia, bota akademike shqiptare, së bashku të festojmë jo vetëm 106 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, që atëherë ishte Gonxhe, po të festojmë kthimin e dyfishtë, kthimin e Gonxhes në familjen e saj, në gjirin e saj, frymën qe e ka krijuar dhe kthimin tonë tek ajo, tek rrënjët dhe vlerat që ajo përfaqëson”,- tha ambasadori i Kosovës, Ylber Hysaj.
 
“Siç e dini, Spitali Gjinekologjik në Çair të Shkupit mban emrin Nënë Tereza, kurse autostrada kryesore në gjatësi prej 300 kilometrave, korridori 8, gjithashtu së shpejti në Shkup do të fillojë të funksionojë universiteti më i ri në gjuhën shqipe me emrin Nënë Tereza”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Festim Halili.
 
Mes emocionit të krenarisë për vendasen dhe lotëve për brengat e komunitetit katolik në Shkup, Anton Sereçi, përfaqësues i komunitetit katolik, kërkoi zgjidhjen e problemit të mungesës së priftit shqiptar në kishën katolike. 
 
“Sot e kësaj dite ky komunitet i vogël shqiptar nuk kemi prift shqiptar, nuk dëgjohet fjala shqip... Lus institucionet në RM më në fund të zgjidhin këtë problem, sepse gjatë bisedës me vëllezërit tanë myslimanë, intelektualë, të cilët duan që me mish e me shpirt të dëgjojnë meshën në gjuhën shqipe, jo te konvertohen, por vetëm ta dëgjojnë gjuhen e tyre në kishën katolike”,- tha përfaqësuesi i komunitetit shqiptar katolik në Shkup, Anton Sereçi.
 
Ekspozita u organizua me bashkëpunim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup, Institutit Shqiptar të Zvicrës, Arkivit të Shtetit Shqiptar, Institutit “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqatës “Civiva Mobilitas” nga Zvicra. 
 
ARLINDA BAFTIU