Maqedoni
Trupi Ad–Hok, s’arrihet kompromis për anëtarin e pestë
26.08.2016 17:30
Pa sukses përmbyllet edhe mbledhja e sotme e trupit Ad-Hok...

Katër anëtarët nuk arritën të bien dakord për anëtarin e pestë, i cili do të kompletonte trupin e përkohshëm për mbikëqyrjen e punës së mediave gjatë periudhës parazgjedhore.
I kontaktuar nga TVM2, anëtari i propozuar nga LSDM, Lubomir Kostovski, tha se Komisioni është mbledhur për të diskutuar, por nuk ka marrë vendime konkrete.
Sipas Kostovskit, anëtarët e trupit të përkohshëm presin nga partitë politike, nënshkruese të marrëveshjes politike, ekspertëve ose faktorit ndërkombëtar të ndërhyjnë në gjetjen e zgjidhjes. Nga dakordimi i partive do të varen edhe konsultimet e fundjavës.
Nga dhjetë kandidatët e paraqitur, mosmarrëveshjet vazhdojnë për dy emrat që kanë mbetur në garë për të zënë vendin e pestë në trupin Ad–Hok, Sefer Tahiri dhe Daut Dauti, ndërkaq përgënjeshtrohen mundësitë për futjen e emrave të rinj në lojë.
Pasi të martën u shkel afati për përzgjedhjen e anëtarit të pestë, tani thuhet se deri të martën do të duhet kjo kaptinë të mbyllet që të nesërmen, më 31 gusht, liderët e katër partive politike të mblidhen dhe të vulosin datën e mbajtjes së zgjedhjeve, që sipas gjitha gjasave pritet të jetë 11 dhjetori.
MERAL ISMAILI
