Kerry dhe Lavrov takim 12 orësh në Gjenevë për Sirinë
Uashingtoni dhe Moska nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me një bashkëpunim ushtarak....

Uashingtoni dhe Moska nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me një bashkëpunim ushtarak dhe humanitar për Sirinë.
Pas takimit 12 orësh në mes të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Gjenevë, ata thane vetëm se janë afër marrveshjes por diç konkrete nuk u njoftua.
“Ne nuk duam të arrijmë marrëveshje vetëm për hir të marrëveshjes, ne duam një marrëveshje që është efektive, që funksionon për popullin e Sirisë, që e bën rajonin më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, që na ka sjell ne në këtë tryeze në Gjenevë, për të gjetur zgjidhje politike” – tha sekretari i jashtëm amerikan, John Kerry.
Ndërkaq, Lavrov tha se njëra prej çështjeve të pazgjidhura është mundësia e koordinimit të sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste në Siri.
Sipas tij Shtetet e Bashkuara nuk kanë përmbushur premtimin e tyre për të mos mbështetur grupin Al-Nustra, të cilët po luftojnë së bashku me forcat e mbështetura nga SHBA-të.
“Pa një përcaktim të qartë të grupeve terroriste dhe forcave opozitare, unë nuk shoh asnjë mundësi të arritjes së ndërprerjeve të plota të armiqësive” – u shpreh ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov.
Ekspertët amerikanë dhe ata rusë, në ditët në vazhdim do të zhvillojnë takime në Gjenevë, në përpjekje për të sheshuar pengesat e mbetura, me qëllim që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme për luftën disavjeçare në Siri. (Ardita Imeri, TVM2)
