Hasanbegu pas përmbytjeve, vazhdojnë përpjekjet për kthimin e normalitetit

27.08.2016 19:00

Përpjekjet për tiu kthyer normalitetit, nuk shuhen në Hasanbeg....

Edhe përkundër dëmeve që vërehen nëpër rrugë dhe shtëpi banorët e kësaj ane me fuqinë që kanë vazhdojnë të sanojnë dëmet.

Pasi kanë hequr baltën dhe inventarin e dëmtuar nga shtëpitë, disa prej tyre kishin filluar edhe të rindërtojë shtëpitë. Të tjerët presin ndihmë.

“Diku, diku i kanë rrenovuar shtëpitë, këtu kërkush nuk vjen. A ju ka ndihmuar dikush nuk e di. Neve s’ka kush na ndihmon, kam pas llaminat tash shihe se çka ju kam vnu, s’kam mundësi më unë t’ia nisi sërish.” – deklaroi Qefajet Fazlija, banore e Hasanbegut.

Bulldozherët janë larguar nga rrugët e Hasanbegut ndërkohë që ato shtroheshin për ta mbuluar baltën. Derë më derë shpërndaheshin 2 mijë pako me ushqim dhe mjete higjienike nga Turqia në bashkëpunim me shoqatat e vendit.

“Planifikojmë që për dy ditë të shpërndahen ndihmat sepse është një sasi e madhe. Qëllimi ynë është që sa më shpejtë tua lehtësojmë ato dhimbje, të futen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë jetës siç e kanë pasur më parë.” – tha Muhadin Limani nga Shoqata “Aktiviteti”.

STAJKOVCI PAS PËRMBYTJEVE, BANORËT KRITIK NDAJ PUNËS SË AUTORITETEVE

Ndëkohë që banorët e Stajkovcit vazhdojnë të ankohen për rrugët e ngulfatura në baltë. Ata shprehin opinione të ndara për punën e autoriteteve në sanimin e dëmeve por edhe furnizimin me ndihma.

“Siç i shihni rrugët këtu edhe gjithandej janë njëjtë.Nga vullnetarët morëm donacione, ndërkaq nga të huajt nuk kemi marrë gjë.” – tha një banorë i Stajkovcit.

“Ja edhe pak do të duhet që oborrin ta pastrojë. Më thanë se do t’më sjellin një bulldozher. Dalë nga dalë po rregullohen gjërat.” – tha një  banore e Stajkovcit.

Përgatitjet kishin filluar edhe në shkollat fillore të këtyre zonave të përmbytura. Ato punonin intenzivisht që më një shtator të hapin dyert për nxënësit. (Meral Ismaili, TVM2)