Turqi, sulmohet me raketa aeroporti në Diyarbakir
Sulmohet me raketa aeroporti në Diyarbakir të Turqisë...

Sulmohet me raketa aeroporti në Diyarbakir të Turqisë. Katër raketa kanë rënë mbrëm në afërsi të një pikë kontrolli të policisë në aeroport, duke detyruar pasagjerët dhe stafin e aeroportit që të gjejnë strehim brenda hapësirave të terminalit.
Guvernatori i Diyarbakirit, Huseyin Aksoy ka thënë se nga ky sulm nuk ka pasur viktima dhe se fluturimet kanë vazhduar normalisht. Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Diyarbakir është qyteti kryesor në juglindje të Turqisë dhe është i banuar me shumicë kurde.
Ky sulm vjen vetëm disa ditë pasi Turqia filloi sulmet ushtarake brenda Sirisë, kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe luftëtarëve kurdë. Ankaraja zyrtare njoftoi se luftimet në veri të Sirisë, në mes të trupave turke dhe luftëtarëve kurdë të Sirisë YPG, janë intensifikuar.
Një ushtar turk ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar në një sulm me raketa në qytetin sirian XHarablus ndaj një tanku të armatës turke.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar sot se nga sulmet ajrore janë vrarë 20 civilë në veri të Sirisë. Turqia po lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe YPG-së, që prej se ka filluar ofenzivën ushtarake në Siri më 23 gusht. Edhe pse grupi YPG po lufton kundër IS-it, Turqia thotë se dëshiron të ndalojë që ky grup të fitojë territor përgjatë kufirit turk.
Ankaraja e cilëson YPG-në si zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Turqia dhe SHBA-ja kanë paralajmëruar YPG-në që të qëndrojë në lindje të Lumit Eufrat, me qëllim që të parandalohen luftimet e mundshme me trupat turke.
