Kundërshtohet kthimi i serbëve në Mushtisht, përplasje mes policisë dhe protestuesve

28.08.2016 16:02

24 protestues të arrestuar dhe katër policë të lënduar....

24 protestues të arrestuar dhe katër policë të lënduar, dy prej të cilëve më rëndë, si dhe dhjetra protestues të lënduar, është bilanci i protestës së sotme në Mushtishtë të Suharekës në Kosovë, ku u protestua kundër vizitës së serbëve që para luftës së Kosovës, kanë jetuar në këtë fshat.

Policia disa herë ka kërkuar nga qytetarët ta lirojnë rrugën, por protestuesit nuk janë bindur, prandaj policia ka hedhur edhe gaz lotësjellës për ti larguar. Pas intervenimit, policia i ka shtyrë protestuesit deri në qendër të fshatit, duke hapur rrugën deri te kisha ortodokse e Mushtishtit.

Por autobusët që po sillnin serbët megjithate nuk janë future në fshat, pasi ata kanë vendosur të kthehen.

Më 21 gusht disa të rinj nga ky fshat vendosën një pllakat ku përveç fotografive, të shqiptarëve të vrarë dhe dëmeve të shkaktuara, në anglisht dhe shqip u shkrua “kjo është ajo që lanë pas vetes kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal”.

Kadri Veseli, zhvillimet e sotme nuk i duheshin Kosovës

Kryeparlamentari Kardri Veseli ka vlerësuar se zhvillimet e sotme nuk i duheshin Kosovës, pasi plagët e Mushtishtit janë të rënda, por kthimi në pronë është i garantuar me ligj.

“Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi të vërtetë, por në çdo rast duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb në Republikën e Kosovës. Përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, por jo kolektive. E drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës dhe është obligim ligjor garantimi i tyre", vlerëson Veseli.

Ymeri: Serbia të mos i instrumentalizojë serbët e Kosovës                                                  

Kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri duke dënuar brutalitetin policorë të përdorur në Mushtisht ka kërkuar që kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruan, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e këtyre banorëve të mos lejohen të ecin të lirë nëpër rrugë.

Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale, vlerëson Ymeri sipas të cilit serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë.

Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale.

Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’, thekson mes tjerash kreu i partisë më të madhe opozitare në Kosovë.

Por Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka thënë se me rastin e protestave të sotme në Mushtisht tregohet se serbët nuk janë të mirëseardhur në Kosovë.