Botë

Bruksel, sulmohet laboratori i kriminalistikës, pesë të arrestuar

29.08.2016 09:40

Policia belge ka arrestuar pesë persona pas shpërthimit në laboratorin e kriminalistikës në Bruksel, që zyrtarët besojnë se ka pasur për synim shkatërrimin e provave mjekoligjore...

Autoritetet thonë se një makinë tejkaloi gardhin dhe më pas shpërtheu, duke shkaktuar edhe një zjarr masiv. Pesë personat e arrestuar u kapën pranë laboratorit vetëm pak çaste pas ngjarjes.

Në vendngjarje shkuan menjëherë 30 zjarrfikëse për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit që preku Institutin Kombëtar të Kriminalistikës. Ndërtesa ka pësuar dëme të konsiderueshme, por pa shkaktuar viktima.

Fillimisht u raportua për një shpërthim të fuqishëm, por policia ende nuk e ka konfirmuar ekzistencën e një bombe në automjetin e futur në Laboratorin e Kriminalistikës.

Shpërthimi i dëgjuar nga banorët përreth është shkaktuar ndoshta prej materialeve të djegshme që ndodheshin brenda ndërtesës, thonë hetuesit.

Analizat mjekoligjore për çështje të ndryshme kriminale zhvillohen pikërisht në këtë laborator, megjithatë ai nuk ishte i vetmi i këtij lloji në dispozicion të policisë. Instituti i pavarur, që është i lidhur me Trupën federale të Drejtësisë.

Gjithsesi, niveli i alarmit ndaj sulmeve terroriste në Belgjikë mbetet ende i lartë, që prej shpërthimit të bombave në Aeroportin e Zaventemit dhe metronë e Brukselit, të marra përsipër nga i ashtuquajturi “Shtet Islamik”, që shkaktuan 32 të vdekur në muajin mars.

AMIR DURAKU